Deputeti i Partisë Socialiste, Denis Deliu në një komunikim të drejtpërdrejtë për “News Line” në ABC News, komentoi vizitën e djeshme të Sekretarit amerikan të Shtetit Antony Blinken në Tiranë dhe bazën ajrore në Kuçovë që do të inaugurohet më 4 mars.
Deliu u shpreh se influenca ruse po rritet në Ballkan dhe ndaj baza ajrore në Kuçovë është një garanci e shtuar për vendet e NATO-s, si dhe një prezencë shtesë për Shqipërinë.
“Baza ajrore në Kuçovë ka një rëndësi strategjike, pasi është e vetmja në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Është një aset i pazëvendësueshëm për Shqipërinë dhe rajonin, është një siguri po ashtu, një prezencë e shtuar e NATO-s në Ballkan. Po shohim që influenca ruse po rritet përmes Serbisë. Kjo bazë do jetë një garanci kundrejt vendeve të NATO-s. Kjo bazë tregon qe ‘ne jemi këtu dhe kemi forcën për ti kundër përgjigjur rrezikut’”, u shpreh Deliu.
Po ashtu socialisti foli edhe për vizitën e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky në Tiranë, ku tha se Shqipëria është një ndër 10 vendet që ka mbështetur Ukrainën ushtarakisht, ka dënuar agresionin rus në Këshillin e Sigurisë së OKB-së.
“Shqipëria është një vend anëtar i denjë i NTO dhe e ka treguar në dy vite që ka dënuar Rusinë. Për sa i përket vizitës së Zelenskyt është një vizitë e mirëpritur. Shqipëria ka treguar besnikëri duke mbështetur Ukrainën. Shqipëria është një ndër 10 vendet që ka mbështetur Ukrainën ushtarakisht, ka dënuar agresionin rus në Këshillin e Sigurisë së OKB-së”, tha ai.