Infermieri nga Shqipëria Korab Gjana prej një muaji ndodhet krah mjekëve italianë për ti ardhur në ndihmë në këtë situatë të vështirë të shkaktuar nga pandemia.
“Që nga momenti që kemi ardhur duket që situata është përmirësuar, kishte filluar rënia e të prekurve me COVID-19 dhe ka pasur një ecuri pozitive”, u shpreh Gjana.
Ai tregon për “ABC News” se java e parë ishte ajo më e vështira dhe më frikësuese për personelin ndërsa shtoi se nuk ka asnjë mjek të infektuar. “Java e parë ishte më e vështirë”, tha Gjana. Ai u shpreh se deri tani nuk ka pasur asnjë shqiptar në spital ku aktualisht po jep edhe kontributin e tij në luftë me këtë pandemi. Por në vende të tjera sipas tij ka pasur pacientë shqiptar të shtruar me COVID-19.
“Punojmë 40 orë në javë, 8 orë në ditë, jam i pozicionuar në repartin e infektivit. Java e parë kemi qenë në vijën e dytë ndërsa javët e tjera kemi qenë në të njëjtën linjë me kolegët tonë italianë”, tha infermieri shqiptar.
Më tej ai shtoi se në një kohë farë të shkurtër kanë qenë në shërbim të pacientëve.
Gjatë intervistës infermieri shqiptar tregoi edhe një rast të vështirë me të cilën është përballur në spitalin ku aktualisht po jep ndihmën e tij.
“Ishte një pacient në gjendje të rëndë me COVID pozitiv dhe kishte sëmundje shoqëruese, ky ishte një rast i vështirë, por të gjithë ishim të pajisur me masa mbrojtëse dhe e përballuam këtë situatë të vështirë më sukses”, tha ai.
Infermieri gjithashtu tha se tashmë situata në Itali është më e qëndrueshme dhe numri i pacientëve të prekur dhe i personave që humbin jetën nga koronavirusi po vjen duke u ulur.
“Besoj që tani janë ditët e fundit që do të qëndrojmë në Itali”, ndërsa shtoi se kjo ishte një kohë e vështirë pandemie. Ai gjithashtu theksoi se nëse do të kishte një kërkesë të dytë nuk do të hezitonte të jepte kontributin e tij./abcnews.al