Kryqi i Kuq i Indonezisë ka dhënë alarmin se bilanci i viktimave nga tërmeti dhe cunami që shkatërroi një pjesë të vendit mund të shkojë deri në 200 mijë viktima. Ndërkohë, një tërmet tjetër i fuqishëm është regjistruar në Indonezi. Ndërsa ekipet e shpëtimit vijojnë punën për gjetjen e të mbijetuarve.
Ndërsa toka vijon të pësojë lëkundje, me tërmetin e fundit me mganitudë 6.3 i shkallës rihter në afërsi të ishullit Sumba, Kryqi i Kuq Indonezian ka publikuar një vlerësim të bilancit të mundshëm të viktimave të fatkeqësisë natyrore. Më shumë se 200 mijë persona mund të kenë humbur jetën për shkak të tërmetit që u pasua nga cunami që goditi ishujt pranë Sulaëesi në Indonezi. Një shifër kjo afër asaj të vitit 2004, ku eventi sizmik më shkatërrues I të gjitha kohërave shkaktoi 250 mijë të vdekur.
Vlerësimi kaq i lartë i Kryqit të Kuq vjen si pasojë e personave të shpallur të zhdukur. Nga ana tjetër ekipet e shpëtimit vijojnë punën në terren pa pushim në rrënoja për të gjetur të mbijetuar. Aktualisht janë identifikuar zyrtarisht 1200 të vdekur. Dhe për shkak të këtij numri kaq të lartë, autoritetet kanë hapur gropa të mëdha për të vendosur trupat e pajetë, në mënyrë që të shmangen epidemitë e ndryshme.
E gjithë zona e prekur është në pritje të ndihmave humanitare dhe medikamenteve mjekësore. Për shkak të dëmtimeve të spitaleve, të plagosurit që janë të shumtë, po mjekohen në tenda të improvizuara. Ndërsa autoritetet japin dhe alarmin se biznese të shumta janë plaçkitur. /abcnews.al