Për vite të tëra, India veriore – veçanërisht kryeqyteti i Nju Delhi – ka pasur ndotjen e ajrit me nivele shumë të larta.
Tani, gjatë një bllokimi të koronavirusit mbarëkombëtar, ndotja e ajrit në rajon ka rënë në nivelin më të ulët në 20 vite, sipas të dhënave të publikuara nga NASA.
Në një seri hartash, NASA tregoi nivelet e aerosolit në veri të Indisë gjatë të njëjtës periudhë gjashtë ditore nga 31 Mars deri në 5 Prill nga 2016-2020.
“Ne e dinim se do të shihnim ndryshime në atmosferë në shumë vende gjatë bllokimit,” tha Paëan Gupta, një shkencëtar i Shoqatës së Kërkimeve Hapësinore të NASA-s në Huntsville, Alabama. “Por unë kurrë nuk kam parë vlera të aerosolit aq të ulëta në Rrafshin Indo-Gangetik në këtë kohë të vitit”.
Raporti gjurmon thellësinë optike të aerosolit (AOD), që është masa se si drita thithet ose reflektohet nga grimcat e ajrit ndërsa udhëton nëpër atmosferë.
Sipas raportit: “Nivelet e AOD në veri të Indisë në fillim të prillit ishin dukshëm nën normën për këtë kohë të vitit dhe më të ultat në 20 vjet të vëzhgimeve të MODIS. Stacionet vëzhguese tokësore në Indi gjithashtu kanë raportuar një ulje të ndotjes së grimcave në rajon”.
MODIS është një instrument i përdorur për të monitoruar ndryshime në shkallë të gjerë, siç është ajo pjesë e sipërfaqes së tokës që mbulohet nga retë çdo ditë.
Rënia e nivelit të ndotjes vjen ndërsa India hyn në javën e saj të pestë të bllokimit. Më 25 mars, qeveria indiane vendosi një bllokim të rreptë mbarëkombëtar duke ndaluar të gjitha aktivitetet e ndërtimit, transportin publik dhe industrinë./abcnews.al