Incidenti në Gramsh, Rama për spiunët: Ngjarja qesharake, duhet mësuar qëllimi i tyre i vërtetë

schedule11:23 - 26 Gusht, 2022

schedule 11:23 - 26 Gusht, 2022

Kryeministri Edi Rama ka reaguar për incidentin në Gramsh. Në konferencën e përbashkët me kryeministrin e Luksemburgut, Rama tha se duhet hetuar qëllimi i vërtetë i tre të huajve në vendin tonë.

Për të qeshur dhe për të qarë e ka quajtur kreu i qeverisë atë që ndodhi, teksa dy rusët dhe ukrainasit u kapën në tentativë për t’u futur në ambientet e brendshme të ish-uzinës së përpunimit te armëve.

Rama sqaroi se objekti nuk është më i rëndësisë së veçantë. Sipas tij është qesharake të fotografosh mbetje të komunizmit, por theksoi se duhet kushtuar rëndësi se cili ka qenë qëllimi i vërtetë i tre të huajve në vendin tonë.

“Nuk kam pasur mundësi të shprehem lidhur me këtë edhe pse ministrat kanë bërë shpjegimet. Mjegulla e ngritur mbi objekte të rëndësisë së veçantë ishte për të qarë dhe për të qeshur. Ato nuk janë objekte të rëndësisë së veçantë, as  fabrika që prodhojnë armë. Janë të deklasifikuara si objekte në vitin 2012. Dhe faktikisht kanë statusin e shpk. që janë të falimentuara dhe që janë deri në pikën për shkak se nuk kanë mundësi të paguajnë iu priten edhe dritat, kanë edhe disa roje aty. Të thuash që po bëj spiunazh duke fotografuar ato mbetje të komunizmit është shumë qesharake.

Ajo që na shqetëson ne është këta persona çfarë qëllimesh të vërteta kanë. Një mision spiunazhi që shfaqet me veturë sportive është pak si qesharake. I takon hetimit të nxjerrë më shumë. Shqetësimi ynë është ku është qëllimi i vërtetë, përveç krijimit të kësaj mjegulle që në fund të ditës i shërbeu nxitjes së një sekëlldije. Njerëzit e thjeshtë bënë shumë humor me këta. Çfarë fshihet pas gjithë këtij spektakli?”, deklaroi Rama.

Kujtojmë se Svetlana Timofoeva, Mikhail Zorin dhe 25-vjeçari ukrainas Fjodor Mihajlov u arrestuan disa ditë më parë. Ata u pikasën pranë ambienteve të uzinës ushtarake në orën 17.30. Njëri nga të huajt u përlesh me ushtarët, të cilët ruajnë objektin, duke lënduar dy prej tyre. Ata akuzohen për “Goditja për shkak të detyrës”, “Dhënia e informatave sekrete”, dhe “Sigurimi i informatave”, kryer në bashkëpunim. g.v/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!