Incidentet në uzinat ushtarake, Rama u përgjigjet akuzave: Institucionet kanë funksionuar siç duhet

schedule20:12 - 21 Gusht, 2022

schedule 20:12 - 21 Gusht, 2022

Kryeministri Edi Rama u është përgjigjur akuzave për incidentet në bazat ushtarake. Kreu i qeverisë ka hedhur poshtë akuzat se siguria kombëtare është cënuar, duke theksuar se institucionet kanë funksionuar siç duhet. “Me u gjet Kola në punë”, është shprehja që Rama ka zgjedhur për të ironizuar kritikët.

“Me u gjet Kola në punë!” është një shprehje popullore që kaq shumë u shkron mbrojtësve të zellshëm të Sigurisë Kombëtare, shfaqur me të gjitha bateritë në ekrane, portale e faqe personale, duke mos lënë gjë pa thënë përveç të vërtetës: Institucionet kanë funksionuar siç duhet!” shkruan Rama.

Dy incidente janë regjistruar brenda pak orësh në uzinat e përpunimit të armëve në Gramsh dhe Poliçan. Mbrëmjen e kaluar tre shtetas të huaj, dy rusë dhe një ukrainas tentuan të futen në uzinë. Pasi u pikasën, njëri prej tyre sulmoi dy ushtarë, duke i lënë të lënduar. Prokuroria ka ngritur akuza ndaj tyre, mes të tjerash edhe për spiunazh. Ndërsa të huajt kanë mohuar se janë të lidhur me spiunazhin dhe para hetuesve kanë pohuar se janë blogerë.

Sakaq, ditën e sotme policia ndaloi katër çekë, pasi u konstatuan duke fotografuar në uzinën e Poliçanit. Në dëshminë e tyre në polici, ata kanë thënë se janë turistë dhe kanë fotografuar, por nuk e dinin që ndodheshin në një bazë ushtarake.  g.v/abcnews.al