Deputetja demokrate Dhurata Çupi ka folur në Radarin Informativ me gazetaren Jonida Shehu në lidhje me skandalin e inceneratorëve. Ajo u shpreh se PD nuk do të jetë avokati politik i asnjë individi në rast se rezulton i përfshirë në skema që abuzojnë me buxhetin e shtetit.
“Ne e kemi thënë. Çdo denoncim jo vetëm i palës përballë por edhe çdo përfaqësues që ka abuzuar edhe 5 lekë nuk ka rëndësi qasja politike. Ai duhet të hetohet nga organet e drejtësisë. Vërtetë politika ka pikëpyetje për qasjen morale por do të ishte e pamoralshme që politikanët të kërkojnë që të hetohet vetëm pala tjetër. Kushdo duhet të hetohet dhe duhet të ketë avokatin personal dhe jo avokatin politik. PD nuk jetë avokati politik i asnjë individi”, tha ajo.
Lidhur me arrestimin e Lefter Kokës, Çupi tha se asnjë ministër nuk mund të hedhë asnjë firmë i vetëm. Ajo theksoi se Komisioni hetimor do i shërbejë SPAK sa i përket dokumentacionit në lidhje me këtë hetim, ndërsa shtoi se ka një tendencë nga ana e PS për të penguar hetimin.
“Komisioni hetimor ka një diapazon hetimi për të tre inceneratorët. Dëshmitarë janë thirrur kryetarët e bashkive, kryeministri, ministrat e financave. Nuk pretendohet që gjithë procedurat i kreu vetëm një ministër. Asnjë ministër nuk mund të bëjë as edhe një firmë pa dijeninë e Edi Ramës. SPAK është një hap por nuk është i gjithë procesi. Procesi do jetë i përfunduar kur t’u tregohet shqiptarëve që këto lekë janë përdorur për zgjedhjet e 25 prillit.
Mendoj që Komisioni Hetimor do jetë ndihmë për SPAK për dokumentacionin. Gjithçka gjejmë do ia vëmë në dispozicion organeve hetimore. Ka një tendencë për të penguar hetimin. Është diskutuar në mbledhjen e fundit se nëse institucionet nuk do reagonin do i padisnin në SPAK. Komisioni Hetimor do të vazhdojë punën dhe do ta kryejë të gjithë procesin. Do donin ta përfundonim për tre muaj. Nëse nuk mbyllet do ta vazhdojmë për t’u treguar shqiptarëve që denoncimet tona kanë qenë të drejta. Ne jemi një komision, por jemi dy palë. Jemi ne dhe pala e PS që janë munduar ta pengojnë në të gjitha format”, u shpreh ajo.
Deputetja e PD tha se abuzimi me inceneratorët është përdorur në zgjedhjet e 25 prillit.
“Unë besoj te këto organe dhe besoj se edhe nga presioni i opozitës SPAK do të veprojë edhe për kallëzime të tjera nga opozita. Do të ketë një mbledhje për mënyrën si do të koordinohemi për komisionin hetimor. Komisioni hetimor do ta përfundojë edhe pse ka një pengesë të institucioneve për të dëgjuar përgjigje.
Ka ende institucione që nuk kanë kthyer përgjigje dhe kanë tentuar ta pengojnë. Ne i kemi qëndruar parimit sepse e kemi ngritur komisionin hetimor pa interesat personale. Ky abuzim është përdorur për rezultatin zgjedhor të 25 prillit. Raportet e ndërkombëtarëve shkelmojnë atë që pretendon qeveria që zgjedhjet janë fituar. Jo, zgjedhjet nuk janë fituar”, deklaroi Çupi. m.v/Abcnews.al