“Unë i ftoj të gjithë të mos sakrifikojë vendin për karriget e tyre apo për ambiciet e veta, jam i gatshëm unë i pari të sakrifikoj. Që nga dorëzimi i mandatit tim si President pasi të sigurohem që vendi ka një zgjidhje politike parimore, kushtetuese, solide që e çon përpara, e deri tek sakrifikimi i jetës sime si Salvador Allende për të ndaluar instalimin e një junte që mund ta kthente Shqipërinë 30 vite pas”.
Ky qëndrim i fortë i Ilir Metës javën politike që lamë pas, i dha peshë asaj që prej javësh kreu i shtetit e quan publikisht krizë politike e institucionale, përkundër përpjekjeve intensive të Kryeministrit, për ta shfaqur si një krizë brenda opozitës. Nuk është hera e parë që Ilir Meta i vihet përballë Edi Ramës, por në panoramën aktuale politike, pozicionimi i Presidentit të Republikës, e shfaq të vetmuar Kryeministrin që qeveris pa aleatë, pavarësisht se vazhdon të shtojë numrat pro tij në kuvend. Mes hemoragjisë më të fortë nga listat e LSI drejt kuvendit, e strategjive për të goditur aleaten e saj PD, duket sikur mazhoranca u vu përballë një aktori më shumë kundër saj, kreut të shtetit.
Po çfarë ndodhi javën politike që lamë pas?
Ilir Meta u aktivizua në debatin politik që në fillim të javës, duke rrëzuar së pari aludimet e deklaratat për një ndikim rus në zhvillimet politike në vend, ku opozita në protesta kërkon largimin e Kryeministrit. Nga pozita e kreut të shtetit, po aq i informuar sa kryeministri, Ilir Meta ironizoi fort Edi Ramën
Akuza për lidhje ruse, u rikthye në vëmendje, të enjten kur Prokuroria e Tiranës e kishte ftuar Lulzim Bashën me ish sekretarin e përgjithshëm Arben Ristani e sekretarin aktual Gazmend Bardhi, për t’u njohur me aktet e dosjes së lobimit të PD në SHBA. Basha refuzoi paraqitjen, me pretendimin se askush nga PD nuk ishte nën hetim, e se përzgjedhja e kohës për këtë veprim të panevojshëm sipas tij, ishte politike. Nga foltorja e kuvendit, Taulant Balla do nënvizonte refuzimin e Lulzim Bashës
Tek opozita u orientuan sytë edhe pas goditjes së radhës me tritol të shtyllës së tensionit të lartë në Fushë-Krujë.
Akti i rëndë është i përsëritur, e ka ndodhur edhe kur socialistët ishin në opozitë. A po përdorej vallë politikisht kundër opozitës?
Por aksioni politik i opozitës vijoi të kritikohej hapur nga diplomatët në Tiranë. Ambasadorja Susane Schutz, që ka takuar këto ditë disa prej deputetëve në parlament të opozitës, nënvizoi qëndrimin e Gjermanisë.
Ambasadori i OSBE në Shqipëri shkon edhe më tej, pas sinjalit që dha opozita për bojkot të zgjedhjeve vendore, duke mos dorëzuar listën e komisionerëve. Bern Borchard foli me gjuhën e njohur të ndërkombëtarëve, që në maj 2017, deklaronin njohjen e zgjedhjeve edhe pa opozitën, nëse ato certifikoheshin si të rregullta
Ambasadorit iu përgjigj një ekspert i zgjedhjeve, që për 6 vite e gjysmë ka drejtuar zyrën e zgjedhjeve pranë OSBE, bashkëkryetari demokrat i reformës zgjedhore, Oerd Bylykbashi.Të kesh prova të regjistruara për shitblerje vote dhe të pengosh hetimet me Prokuroren e Përgjithshme të Përkohshme, që e ke vënë me votat e tua, ky është shembull i keq për rajonin.
Ilir Meta si kryetar shteti e pati një shigjetim të fortë për ndërkombëtarët. PE është në ditët e fundit të legjislaturës së tetë, punimet e së cilës mbyllen më 18 Prill dhe po bën dëgjesa e debate bilanci për situatën në vendet e Ballkanit Perëndimor, që aspirojnë anëtarësim. Në një prej tyre i ftuar presidenti i Komisionit të Venecias Gianni Buquiçhio foli për liderë me mentalitet të rrezikshëm qeverisës.
Një vlerësim negativ për ecurinë e reformave në rajon e ka edhe drejtori i zgjerimit të BE, i sapo kthyer nga një vizitë pune në Shqipëri.
E ndryshme është qasja e komsionerit për zgjerimin, që kujton gjithsesi se BE nuk mund të ndërhyjë. Ndërsa BE ka hyrë tashmë në ethet e zgjedhjeve për PE, nga 23 deri 26 Maj, në Tiranë opozita vazhdon të programojë kalendar protestash.
Edhe Kryeministri ka nisur përgatitjet e veta, për zgjedhjet vendore të 30 qershorit. Socialistët madje kanë depozituar listën e komisionerëve zgjedhorë, përkundër opozitës që refuzoi ta bënte.
Tre kandidatë të LSI morën mandatet e deputetit nga KQZ javën politike që lamë pas, e tre të tjerë, 2 nga PD e një nga LSI janë gati ta marrin, pasi dorëzuan formularin e dekriminalizimit. Lul Basha e Mona Kryemadhi duken të pafuqishëm për të ndaluar këtë rrjedhje nga rradhët e tyre, e cila më e madhe është nga LSI. Themeluesi i saj, tani President i Republikës reagoi fort.
Si president Ilir Meta është shprehur kundër aktit të opozitës për djegien e mandateve, por paradoksalisht, duket gati të djegë njëlloj të vetin, si kryetar shteti. Akti në vetvete do ishte mjaft i fortë, por Ilir Meta i shtoi edhe doza të forta emocionale. Por historia e Salvator Allendes nuk është aq e admirueshme. Marksisti idealist që qeverisi nga 1970-1973 si president i Kilit, u përball me një grusht ushtarak shteti, të mbështetur nga amerikanët, që druanin se vendi do shndërrohej në një aleat të Bashkimit Sovjetik.
Por Ilir Meta njihet si politikani i lëvizjeve të forta. I vetmi që ka dhënë dorëheqjen kur ishte Kryeministër në shkurt 2002, e si zv.kryeministër në Janar 2011. Dorëheqjen e ka paralajmëruar të paktën dy herë, edhe si kryetar kuvendi. Korrikun e 2016, kur PS e PD nuk kishin konsensus për finalizimin e ndryshimeve kushtetuese për reformën në drejtësi, Ilir Meta kërcënoi me dorëheqje 2 herë brenda katër ditësh, duke sfiduar edhe ndërkombëtarët.
Tre vjet më vonë, si president i Republikës, Ilir Meta sugjeron konsensus e dialog, teksa kujdesshëm i jep zë aludimeve, se për të ndërtuar një imazh normaliteti në Kuvend, po investohet financiarisht. Edi Rama nuk iu përgjigj atij shigjetimi e paralajmërimi të fortë. Mungesa krejt e pazakontë disa ditore publike e pa asnjë sqarim, u la vend aludimeve për një problem shëndetësor, të cilat morën si përgjigje vetëm të enjten, përmes këtij reagimi të ashpër në tuiter, e të premten e javës politike që lamë pas, edhe një sqarim me zë e figurë.
Në Tiranë mungoi edhe Lulzim Basha që po kërkon mbështetje ndërkombëtare për kauzën e tij, së pari mes PPE, formacioni më i madh politik në PE. Në protestën e gjashtë të opozitës para kuvendit ishin figurat e tjera të PD e aleatët, të cilët i mbajtën për katër orë mbështetësit në shesh. Dita kur në parlament do betoheshin 3 kandidatë të tjerë nga listat e LSI, nisi me incident për njërin prej tyre. Ralf Gjoni, ish këshilltar i Metës kryetar kuvendi, u përball me një sulm me bojë të kuqe teksa po dilte nga banesa për të shkuar në parlament. Ralf Gjoni, Nimet Musai dhe Enada Kapllani janë përfaqësuesit e rinj të Lëvizjes Socialiste për integrim.
96 shkoi numri i deputetëve në Kuvend, të enjten e javës politike që lamë pas, 14 nga të cilët janë nga listat e PD-LSI, e tre deputetë që nuk iu bindën vendimit politik për dorëzimin e mandatit. Këta të fundit vazhdojnë ta kenë të nevojshëm sqarimin e pozicionit të tyre. Për herë të parë që prej largimit të opozitës nga Kuvendi, në seancë u shfaq Rudina Hajdari, që njëlloj shpjegoi vendimin, por edhe planet e saj.
Interesant është kujdesi i socialistëve për të mos cënuar publikisht LSI, që po pëson hemoragjinë më të madhe nga listat e saj. Taulant Balla e gjeti tek Lulzim Basha fajin, kur u godit deputeti i LSI-së Ralf Gjoni.
Përgjigja erdhi nga Kryetarja e LSI-së. Kësaj sfide të hapur të javës politike që lamë pas, Edi Rama vendosi t’i përgjigjej me stilin e njohur e të pakonkurrueshëm: imazhin e perceptimin publik. Numrat e qytetarëve në shesh e në kongresin socialist, simbolizonin fuqinë e pushtetit të një kryeministri, që qeveris i vetëm. Organizimi në sheshin Nënë Tereza, ishte identik me atë të Vlorës 16 Shkurtin e kaluar, kur opozita i protestonte nën dritaret e zyrës. Këtë ngjashmëri Erion Veliaj, kandidati i vetëm socialist që mori konfirmimin publik për një mandat të dytë, e nënvizoi si pjesë e marrëdhënies me Kryeministrin.
Në kongres, me radhë socialistët e asocionin emrin e Edi Ramës me çdo punë të bërë, por vetë Kryeministri kishte zgjedhur sheshin, në krah të Veliajt. Njohës i shkëlqyer i komunikimit publik, zgjodhi diversionin si përgjigje për deklaratat e forta të Ilir Metës.
Mbrojtja më e mirë është sulmi, është parimi tjetër që kryeministri e njeh shumë mirë dhe e tillë ishte përgjigja për aksionin e opozitës, bashkë me një sfidë për kërkesën e saj: zgjedhjet e parakohshme.
Ishte kujdesur që të shmangte imazhin e flamujve socialistë, si ilustrimi që qeveris i vetëm, e i kishte zëvendësuar me flamujve kombëtarë. Një retorikë e para viteve 90 spikati me ngjashmërinë për armiq ngado, përveç opozitës edhe në media.
Një denoncim dy ditor i ish-deputetit Ervin Salianji për një prej kauzave disa mujore të opozitës, që njihet si çështja Babalja, nuk mori dot vëmendjen e duhur publike, edhe pse ish deputeti publikoi material audio të komunikimeve të dëshmitarit të penduar Fredi Alizoti me funksionarë të policisë e të socialistëve.
Bashkë me një intervistë të Lulzim Bashës për të përditshmen italiane “Il Fatto Quotidiano”, ku shpjegonte se përse opozita është në protesta, strategjia reaguese e opozitës mbeti modeste, ndërsa një Twitter shpotitës i sekretarit të përgjithshëm, ishte përgjigja për fjalimin njëorësh të Kryeministrit. Ky i fundit, me simbolikë e mesazhe, i hodhi dorashkën e sfidës opozitës, duke kaluar topin në fushën e Lulzim Bashës, e njëkohësisht duke zbehur qëndrimin e fortë të kreut të shtetit. Një tjetër ilustrim se në fund të ditës, beteja është për perceptimin publik, më shumë se për aktet konkrete. /abcnews.al