Ilir Daja: Jorgji i duhuri për të vendosur kampionatin, nuk e di ku e mori guximin

schedule20:15 - 21 Maj, 2021

schedule 20:15 - 21 Maj, 2021

Partizani u mposht në shtëpi nga një gol i Herald Markut me penallti dhe të kuqtë tashmë nuk kanë më asgjë në dorë për titullin kampion. Trajneri Ilir Daja, analizoi atë që ndodhi në fushë në lidhjen direkte me emisionin “Gol pas Goli” në Supersport.

“E kam parë 30 herë penalltinë. Nuk e di se ku e gjen kurajon arbitri të vendosë me një penallti të asaj natyre. Belica e kishte parakrahun para trupit. E kam edhe një histori tjetër me të njëjtin arbitër. Në momente të tilla ndoshta është i duhuri për të vendosur kampionatin”, tha Daja fillimisht.

“Po të merremi me sulmin, shmangemi nga gjëja kryesore. Pavarësisht çfarë prodhuam, nuk kishim dy sulmues, Hakaj doli i dëmtuar, Cardoso kërkonte zëvendësim. Në fund u mposhtëm me një penallti inekzistente. Një barazim na mbante në vend të parë”.

“Besoj se për atë ndeshjen me Kukësin e kam. E kemi ndjerë këtë shpërblimin e arbitrave. Duhet që ndonjëherë t’i shohim gjërat ftohtë. Sot kishim dozë të shtuar emocionale, kishim bërë disa ndryshime. Nuk është se kemi bërë ndonjë lojë të mirë, por në fund të ikësh nga kampionati me penallti inekzistente nuk është e drejtë”.

“Gjykimi në total? Kemi bërë një kampionat të mirë. Kishim probleme me merkaton. Patëm pak lojtarë deri në janar, ishim lart në renditje shumicën e kohës. Na është mohuar gol në Fier, me Teutën në Elbasan, goli i dytë në Laç, na jepet penallti sot. Janë shumë raste dhe këto nuk i them unë, këto i kanë thënë specialistet e moviolës në përfundim të ndeshjeve”.

“Cara u pengua tre herë në nisjen e aksioneve të sulmit. Broja me ndërhyrjen e parë mori karton të verdhë. Ne ishim në sulm të shpejtë dhe kundërshtari nuk ndëshkohet. Mbajmë përgjegjësi për ndeshjen, por nuk kishim Asanin që është golashënuesi më i mirë.

Mori një të verdhë  me faull në mesfushë, mungon Stenio që bëri nxehjen, pastaj doli edhe Hakaj. Cardoso kërkon ndërrim në pushim dhe të gjitha këto ndikojnë në cilësinë e lojës. ishim barazim me Vllazninë dhe me një guxim të arbitrit Jorgji vendoset kampionati dhe nuk lë shijë te këndshme. Nuk e di çfarë emri t’i vë”.

“Nuk mundet që javët e fundit, kur e ke nisur kampionatin me një vendosje dhe një lloj loje, të ndryshosh. Ajo lojë dhe ajo manovër na ka sjellë në krye deri në fund. Nuk ndryshohet dot vendosja dhe të prishësh gjitha automatizimin. Hasani i ka vlerat, por ka pasur dëmtime të shumta. Në tre javët e fundit nuk ndryshoja vendosje, pasi ajo na solli në vend të parë edhe me një lojë jo të mirë”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!