“Iku një nga më të mëdhenjtë”, Vllaznia mesazh ngushëllimi për Vildan Tufin

schedule16:23 - 18 Tetor, 2020

schedule 16:23 - 18 Tetor, 2020

Vildan Tufi humbi jetën ditën e sotme, pas një beteje me sëmundjen. Ish-atleti, më pas trajner dhe pjesë e stafit teknik të KF Vllaznisë për disa kohë, ka pikëlluar qytetin e Shkodrës dhe jo vetëm, pasi kontributi i tij në sportin e atletikës ka qenë i madh.

Mesazhet e ngushëllimit kanë qenë të shumta dhe nuk mund të mungonte edhe një nga Vllaznia e futbollit: “Paraditen e sotme kemi humbur një nga emrat më të mëdhenj të sportit shkodran dhe atij shqiptar, Vildan Tufin.

Shumëkush ndoshta e lidh emrin e profesor Vilit me sukseset e tij të jashtëzakonshme në sportin e atletikës, por në fakt ai ka qenë për disa vite edhe pjesë e Klubit të Futbollit Vllaznia duke punuar me stafet e ekipit të parë në rolin e përgatitësit atletik.

Ndarja e tij nga jeta është një humbje e madhe për të gjithë ne. KF Vllaznia i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Tufi për ndarjen nga jeta të profesor Vilit. Pushofsh në paqe profesor”. Tufi është një emër i madh i atletikës.

Nga duart e tij kanë dalë shumë kampionë dhe rekordmenë, ku bien në sy emra si Vera Bregu, rekordmene absolute në kërcim së larti dhe trehapësh, si dhe pjesëmarrëse në Lojërat Olimpikë Atlanta 1996.

Më pas ka stërvitur Arbana Xhanin, kampione për 20 vite në garat e 100, 200 metrave dhe atë të stafetës, por edhe fituese e disa medaljeve të arta në kompeticionet ndërkombëtare.

Kampioni i tretë është Izmir Smajlaj, atleti i njohur shqiptar në kërcim së gjati dhe në trehapësh. Smajlaj ia doli të triumfonte në Kampionatin Europian të Atletikës në salla të mbyllura në 2017, duke ngritur flamurin kuqezi në mes të Beogradit. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!