Sondazh

Dendias në Tiranë, rihapet çështja e detit, mendoni do ketë ndikim në integrimin europian?

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

“Iku kjo botë, u prish dynjaja…”/ Zvërneci, Rama: Shqipëria e “tradhtuar” u zgjodh si presidente e Europa e Pyjeve

schedule09:32 - 3 Qershor, 2026

schedule 09:32 - 3 Qershor, 2026

Shqipëria është zgjedhur me votë unanime nga 45 vendet anëtare si Presidente e „Forest Europe“ (Europa e Pyjeve) për periudhën 2026–2030, duke marrë stafetën e drejtimit nga Suedia.

Lajmin e ka bërë të ditur Kryeministri Edi Rama përmes një reagimi në rrjetin social „X“, ku ka përdorur një ton të mprehtë ironik ndaj akuzave dhe teorive të konspiracionit që qarkullojnë në rrjetet sociale, veçanërisht lidhur me zonën e Zvërnecit.

Në mesazhin e tij, kreu i qeverisë ka vënë në dukje mbështetjen e fuqishme të shteteve si Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar, duke e cilësuar këtë përzgjedhje si një sukses të rëndësishëm të diplomacisë mjedisore që rrit reputacionin ndërkombëtar të vendit.



Ndërsa listonte me ironi teoritë mbi “betonizimin“, “máfian e maleve“ apo planeve imagjinare për spastrime etnike dhe zëvendësime popullatash, Rama nënvizoi se deri në vitin 2030 Shqipëria do të udhëheqë agjendën politike dhe procesin ministerial të kësaj platforme të rëndësishme pan-evropiane për menaxhimin e qëndrueshëm të pyjeve dhe ekonomisë së gjelbër.

“Çudi e madhe ëëë…

Shqipëria e tradhëtarëve sapo u zgjodh me votë unanime të 45 vendeve anëtare, si Presidente e Forest Europe (Europa e Pyjeve) për periudhën 2026–2030, duke marrë stafetën nga Suedia.

Po si ka mundësi, që këtë vend të betonit, Paketës së Mafias së Maleve dhe të Konspiracionit Jahudit të zhdukjes së pyllit të Zvërnecit për ta kthyer në geto palestinezësh të spastruar etnikisht nga Gaza, ta mbështesin fuqimisht Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar për këtë zgjedhje kaq domethënëse, ndërsa vendimi të miratohet më në fund pa asnjë kundërshtim, nga asnjë vend anëtar?!

Forest Europe është platforma më e rëndësishme pan-evropiane për politikëbërjen në fushën e pyjeve, që bashkon 45 shtete evropiane dhe Bashkimin Evropian për të përcaktuar drejtimet strategjike të menaxhimit të qëndrueshëm të pyjeve, biodiversitetit pyjor, klimës dhe ekonomisë së gjelbër.

Iku kjo botë, madje u prish dynjaja, se u bashkuan në Shqipëri Trumpi me Sorosin që të bëjnë “Shqipërinë e shqiptarëve” me hormone transgjenitale, me një ishull izraelit në tokë e një në det, me zëvendësim të pelikanëve me palestinezë, ku kulmi i degjenerimit është partneriteti i tyre me Katarin, që në Zvërnec do vihet në shërbim të Izraelit paçka se në Gjirin Arabik nuk e shohin me sy njëri-tjetrin… Dhe kush i bën të tëra këto, tradhëtari në kryeministri që ku t’i ketë robt e shpis o ej, o ej, o ej, se paska qenë Satanai vetë.

Deri në vitin 2030, Shqipëria do të drejtojë agjendën politike dhe procesin ministerial të kësaj organizate, duke koordinuar diskutimet dhe prioritetet evropiane për sektorin e pyjeve, e duke u rritur në kompetenca e në reputacion përmes kësaj eksperience fantastike.

Ky është një tjetër sukses i rëndësishëm diplomatik, që e forcon më tej profilin ndërkombëtar të vendit dhe rrit rolin e Shqipërisë në diplomacinë mjedisore, duan s’duan ata që s’duan, qofshin ata të “Shqipërisë së shqiptarëve”, e qofshin ata që i përdorin si kukulla të pavetëdijshme, duke ua bërë flakë tik tokun me raketat e luftës hibride të manipulimeve online”, u shpreh Rama.

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!