Idhulli, rrengu me këpucët dhe “armiku” Kalaja: Erdenis Gurishta “Në kohën e ABC-së”

schedule20:00 - 26 Prill, 2021

schedule 20:00 - 26 Prill, 2021

Nga Vladimir Prenga

Pa nofkë, por shokët e thërrisnin në emrin e një lojtari të madh, anglezit John Terry që ishte lider në fushën e lojës dhe jashtë saj. I bashkon futbolli dhe shiriti i kapitenit. Mënjanë fjalët e mëdha, skena për Erdenis Gurishtën, i cili zbërthehet në rubrikën “Në kohën e ABC-së”.

“Asnjëherë nuk kam pasur ndonjë pseudonim a nofkë. Shokët përpara shpesh herë më thërrisnin John Terry, pasi kur isha i vogël e pëlqeja shumë si lojtar. Më thoshin se i ngjaja nga mënyra e lojës, por edhe në pamje”, tregon mbrojtësi, i cili e ka nisur rrugëtimin e tij si lojtar te Vllaznia dhe tani është kapiten i shkodranëve.

 

Gurishta duke festuar nje fitore, me shiritin ne krah

 

E mbylli rrëfimin me një peng dhe fjalë zemre për nënën e tij që nuk jeton më, por për fjalë të tilla zemre edhe radha prishet. “Për çdo lojtar familja është mbështetja më e madhe. Personi që unë i dedikoj çdo gjë është nëna ime, një engjëll tani.

Nëse arrij diçka më vonë, normalisht do ia dedikoj asaj çdo sukses. Për fat të keq vdiq para dy vitesh dhe nuk e pa djalin e vet të arrinte ato ëndrra që ai kishte dëshirë. Ky është pengu im më i madh në jetë”, shprehet Gurishta, i cili ka një arsye të fortë për ta fituar titullin kampion dhe Kupën këtë sezon.

Por si nisi gjithçka për shkodranin? “Hapat e parë i kam hedhur në moshën 7-8 vjeç. Isha në klasën e dytë në shkollë, kur një grup trajnerësh u afrua për të seleksionuar lojtarë që spikasnin. Një prej atyre isha unë. Aty nisi gjithçka.

 

Gurishta dhe Arbjas Hasani

 

Topin e parë e kam blerë një ditë pas seleksionimit. Isha shumë i lumtur që më kishin përzgjedhur mua dhe ia kërkova babait të ma blinte, që të luaja në shtëpi. Normalisht emocionet ishin shumë të mëdha, mezi prisja të mbaronte shkolla dhe të shkoja në shtëpi e të stërvitesha me top”, vijon rrëfimin futbollisti i kuqebluve.

Në Shkodër ka një lidhje të fortë me Gjermaninë dhe nuk është sekret. Tregohen edhe barsoleta, si ajo kur një shkodrani i çuan flamurin shqiptar për 100 vjetorin e pavarësisht dhe tha: “Ç’e duan unë këtë, jam me Gjermaninë”. Erdenisit për herë të parë i kanë blerë një uniformë të “Pancerave”.

“Fanella e parë që kam pasur në shtëpi dhe që e kam veshur ka qenë ajo e kombëtares gjermane, e Bastian Schvanstaiger. Ishte ajo fanellë, pasi familjarët e mi ishin tifozë të asaj kombëtareje”, shton mbrojtësi, i cili kujton edhe ditën e parë të stërvitjes më pas. “Dita e parë e stërvitjes ka qenë e mbushur me emocione, me shumë frikë se si do të shkonte. Isha shumë i vogël dhe kisha pak siklet.

 

Trajneri im i parë ka qenë Brikeno Bizi dhe mbaj mend që ai po i pyeste të gjithë fëmijët për rolin që kishin dëshirë të luanin. Kur erdhi tek unë i thashë se dëshira ime ishte të luaja sulmues. Ai qeshi dhe më tha se të gjithë kur i pyet thonë sulmues. Pastaj më tha se do ta luajë mbrojtës edhe në atë pozicion kam luajtur nga ajo ditë”.

Hapat e parë Gurishta i ka hedhur në fushën e Bërdicës, që tani nuk është më funksionale. “Fusha e parë ku stërviteshim ka qenë në Bërdicë, në periferi të Shkodrës. Ishte një fushë me kushte normale, por për ne që ishim fëmijë kushtet nuk kishin shumë rëndësi.

Për ne ishte shumë e rëndësishme lumturia që kishim kur luanim me topin, me njëri-tjetrin. Pastaj kur fillon e rritesh kupton që kushtet janë shumë të rëndësishme. Tani ajo fushë më duket se nuk është më, aty stërviteshin edhe ekipet e shkollës”, tregon 26-vjeçari.

 

Rrëfimi Gurishtës vazhdon: “Pas Brikenos, trajner im i ardhshëm ishte Sabah Bizi, babai i tij, një trajner shumë i mirë dhe një legjendë e futbollit shqiptar. Mbaj mend që ai shpesh në stërvitje na thoshte se duhet të punojmë shumë, pasi nga 25 vetë që ishim në stërvitje vetëm 2-3 mund të bëheshim futbollistë. Atë thënie të tij e mbaj mend edhe tani, pasi nga 25 vetëm dy futbollistë dolëm, unë dhe Ardit Krymi”.

Kur e pyet kush është trajneri që ka patur ndikimin më të madh tek ai, Gurishta shton: “Kam kaluar shumë trajnerë të mirë, duke nisur me Brikeno dhe Sabi Bizin, Endri Çakun dhe Luan Zmijanin. Ndikimin më të madh tek unë e ka pasur Zmijani, kur ishim tek ekipi U19 dhe më pas kalova tek ekipi i parë i Vllaznisë. Pas gjashtë muajsh ai mori ekipin e parë dhe nisa të aktivizohem si profesionist, ndaj edhe mendoj se ai ka pasur ndikimin më të madh tek unë”.

Mbrojtësi kujton me nostalgji edhe udhëtimet që bënte kur ishte pjesë e moshave të Vllaznisë: “Kur i kujtoj udhëtimet që bënim tek moshat, nganjëherë më vjen të qesh. Shpesh herë kur udhëtonim na binte që direkt nga autobusi të zbrisnim dhe të futeshim në nxehje e të luanim. Ishte shumë rraskapitëse dhe shumë e lodhshme. Pastaj edhe ndeshjet luheshin herët, në orën 10:00 ose në 12:00. Ishte e lodhshme”.

 

Vllaznia U19 para ndeshje ndeshje, ne rreth Denis Dyca

 

Në futboll jo të gjithë ia dalin dhe Gurishta e jep me shembuj konkretë: “Tek ekipet e moshave realisht kishte shumë lojtarë të mirë, të cilët mendoja se do të ecnin. Koha ka treguar se nuk mjafton vetëm talenti, por duhet shumë punë e vullnet. Kishte shumë lojtarë me talent, por nuk ishin të disiplinuar ose nuk kishin vullnet për të arritur diçka në jetë.

Ata që kishin vullnet sot janë futbollistë shumë të mirë. Që në hapat e parë kam qenë shumë shok me Ardit Krymin. Ai spikaste gjithmonë në fushë, sepse kishte autoritet që i vogël. Më vjen mirë që edhe sot jemi shokë tek ekipi i Vllaznisë. Jemi rritur bashkë dhe prandaj jam shumë i lumtur.

Te Vllaznia, te moshat, ishin edhe një lojtar tjetër që mendoja se do të ecte shumë. Bëhet fjalë për Denis Dycën, pasi bënte diferencën me grupmoshat e 17 dhe 19-vjeçarëve. Shpesh herë i mundte ekipet vetëm, por futbolli do disiplinë, punë vullnet. Pa këto nuk ke arritje”.

 

Sherri, selfie me Gurishtën, Krymin dhe Kalanë

 

Gurishta pranon të tregojë edhe emrin e atij lojtari që ia sillte ngushë kur ishte te moshat: “Lojtari që të hapte më shumë punë ishte Arlind Kalaja, ishte shumë i shpejtë dhe i fortë fizikisht. Shpesh herë me të, kur isha kundërshtar, gërriceshim dhe ndonjëherë bënim edhe ndonjë ndërhyrje të tepruar. Pastaj u bëmë shokë dhe nga ajo armiqësia në fushë u bëmë shumë miq”.

Mbrojtësi flet edhe për fushën më të vështirë që ka luajtur, ndërkohë që tregon edhe një prapësi që ia kanë bërë një shoku të skuadrës. “Fusha më e vështirë mbaj mend që ka qenë ajo e Laçit. Ishte një fushë shumë e vështirë edhe për shkak të terrenit, por edhe për shkak të presionit që kishte në atë fushë.

Do ju tregoj edhe rrengun që i kemi bërë një shoku. Ishim një herë duke ikur në udhëtim, kishim ndeshje në Tiranë me moshat. I morëm këpucët nga çanta dhe ia futëm në një çantë tjetër. Kur erdhi momenti të bëheshim gati për lojë, ai pa që i mungonin këpucët dhe mendonte se i kishte harruar në shtëpi. Ai u mërzit shumë, gati niste të qante. Pastaj ne i treguam që ia kishim marrë ne”.

 

Gurishta, para nje ndeshjeje kunder Tiranes

 

Gurishta ka një ndeshje që nuk e harron dhe e cilëson më të çuditshmen: “Një nga ndeshjet më të çuditshme që mbaj mend ka qenë një kundër Pogradecit. E mendonim si ndeshje të fituar dhe e nënvlerësuam Pogradecin. Ne ishim kampionë, pa diskutim. Morëm penallti në minutat e para të ndeshjes, unë isha ai që i gjuaja në atë kohë dhe e humba.

Pjesa e parë mbaroi 0-0 dhe morëm penallti edhe në pjesën e dytë. Unë doja ta gjuaja sërish, por trajneri dha urdhër që ta gjuante Kalaja. Arlindi e gjuajti dhe e humbi. Pas pesë minutash Pogradeci na shënoi gol dhe ne kemi barazuar në minutën e pestë shtesë. Ishte një ndeshje e çuditshme, pasi humbëm dy penallti, në një ndeshje që duhet ta fitonim pa probleme”.

A ka pasur Erdenisi ndonjë lojtar të cilit kishte dëshirë t’i ngjante? Sigurisht! Madje kishte edhe dëshira të tjera, që i thotë hapur në fund të këtij rrëfimi: “Isha i vogël dhe shikoja ekipin e Vllaznisë duke luajtur. Shpesh herë thosha se doja të bëhesha si Elvin Beqiri, pasi kur e shikoja duke luajtur vija re se ishte një lojtar shumë i mirë, me autoritet, me potencial, kapiten i vërtetë.

 

Gjithmonë e kam menduar dhe e kam dëshiruar të jem një futbollist profesionist. Ëndrra ishte të isha lojtar i Vllaznisë dhe kapiten. Këto ëndrra më janë plotësuar. Pastaj doja të kapja kombëtaren dhe të luaja jashtë, mendoja ekipet gjermane, si tifoz gjerman që jam.

Një nga ëndrrat ka qenë edhe që të çoj një trofe me fanellën e Vllaznisë. Kjo është shumë afër realizimit. Shpresoj që këtë vit Vllaznia të bëjë të pamundurën të mundur, të fitojë Kupën  dhe titullin kampion. Shpresoj dhe dëshiroj shumë. Pastaj çfarë te jetë e shkruar le të bëhet”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!