Zbulohet emri i personit që vijon të jetë në kërkim nga policia si i dyshuar në ekzekutimin e tipit mafioz të Jurgen Kurtit, ngjarje kjo e ndodhur mbrëmjen e 18 marsit në Tiranë. Ai është Klodjan Bane, 38-vjeç nga Patosi dhe nuk ka njohje personale me viktimën, por dyshohet se janë paguar për të kryer vrasjen 26-vjeçarit.
Zbardhet identiteti i personit të shpallur në kërkim si një nga autorët e dyshuar të vrasjes së Jurgen Kurtit. Pas arrestimit të tre të rinjve si bashkëpunëtorë në krim, unifromat blu kanë mësuar se, në ekzekutimin e tipit mafioz të 26-vjeçarit Kurti në automjet ishte edhe Klodjan Bane.
38-vjeçari është banues në Patos dhe vijon të jetë kërkim për më shumë se një javë nga policia e Tiranës. Të martën u arrestuan Elsi Levendi, 21 vjeç, Alesio Berberi, 33 vjeç dhe Olsi Qalliu, 22 vjeç.
Emri i Klodjan Banes doli nga përgjimi i të rinjve, të cilët u takuan pas krimit me njëri-tjetrin në zonën e “Kumunës së Parisit”, teksa i arrestuari Berberi ka një banesë tek “Liqeni i Thatë” në Tiranë. Kështu i pari që ra në gjurmët e grupit hetimor ishte Elsi Levendi. 21-vjeçari ruante lëvizjet e viktimës Jurgen Kurti, duke njoftuar edhe anëtarët e tjerë të grupit. Kjo gjë sipas uniformave blu ishte fiksuar nga kamerat e sigurisë në rrugën “Zef Jubani”. Pas ndjekjes së Levendit u zbuluan edhe pjesëtarët e tjerë të grupit kriminal të dyshuar si ekzekutorë me pagesë. Automjeti tip Mercedes Benz E Class, ishte fiksuar gjithashtu nga kamerat e sigurisë që ndodhen pranë banesës së Jurgen Kurtit, ndërsa targat ishin të falsifikuara. Pas kontrolleve në banesën e Alesio Berberit, u gjetën mjetet luksoze dhe një pistoletë model TT. Gjithashtu janë dërguar edhe për ekspertim 5 telefonat e koduar të autorëve të dyshuar të krimit, ku deri më tani nuk është bërë e mundur zhbllokimi i tyre nga specialistët e “IT” të Prokurorisë së Tiranës. Asnjë nga të ndaluarit si, Levendi, Berberi dhe Qalliu nuk kanë marrë përsipër autorësinë e krimit. Prokurori i çështjes, Zeqir Hoda pritet të kërkojë arrest me burg për të rinjtë, të cilët akuzohen për vrasje me paramendim e kryer në bashkëpunim dhe armëmbajtje pa leje.
/abcnews.al