Identifikohen 2 të dyshuar për vrasjen e Santiago Malkos, 3 pistat kryesore të hetimit

schedule15:06 - 29 Gusht, 2019

schedule 15:06 - 29 Gusht, 2019

Policia ka identifikuar dy persona si të dyshuar për vrasjen e ish- policit mbrëmjen e 27 Gushtit në kryeqytet. Sipas uniforme blu për këta persona po kryhen të gjitha verifikimet.

Grupi hetimor që po merret me këtë ngjarje ka ngritur 3 pista hetimi, si ajo e hakmarrjes, zhvillim i paligjshëm i aktivitetit të lojwrave të fatit dhe prishje e pazareve të drogës.

Grupi hetimor që po merret me zbardhjen e ekzekutimit mafioz të ish-policit Santiago Malko më 27 gusht në rrugën “Xhanfize Keko”, në kryeqytet, kanë identifikuar dy persona të dyshuar.

Deri më tani të dyshuar për këtë ngjarje janë shtetasit D.A dhe L.D, për të cilët po kryhen të gjitha verifikimet.

Sipas burimeve policore këta dy persona ishin me precedent të mëparshëm penal dhe akuzohen për një sërë veprash penale, por më kryesore është ajo e trafikut të lëndëve narkotike.

Po i njëjti burim thekson se makina “mercedes benz” që u gjet e djegur në fshatin Ferraj, dyshohet të jetë në pronësi të njërit prej këtyre personave, por nuk kanë akoma prova konkrete që ti dërgojnë tek autorët.

Uniformat blu deri në këto momente kanë ngritur disa pista hetimi, siç është ajo e hakmarrjes pasi, 26 vjeçari dyshohet të këtë marrë pjesë në vrasjen e një personi në Durrës disa kohë më parë.

Pista tjetër është ajo e zhvillimit të aktivitetet të paligjshëm të lojërave të fatit, dhe dyshohet për gjobvënie, nisur nga e shkuara që kishte Santiago Malko.

Ndërsa pista e tretë është ajo e prishjes së pazareve të drogës, nëpërmjet grupeve kriminale.

Referuar burimeve konfidenciale nga grupi i hetimit, thuhet se autorët e ekzekutimit të ish-policit janë vrasës me pagesë, nisur dhe nga mënyra se si është bërë atentati.

Gjithashtu thuhet se ka pasur disa persona që kanë marrë pjesë në vrasjen e 26 vjeçarit për shkak të mënyrës që është kryer atentati.

Santiago Malko hoqi dorë nga uniforma e policisë më 14 prill 2016, pasi u përfshi në një konflikt me dy vëllezrit Edmond dhe Gentian Lashi, disa metra larg Drejtorisë së Policisë së Tiranës.

Ata u konfliktuan në një lokal bastesh, dhe në atë kohë u deklarua se gjithë sherri ndodhi për një borxh të pashlyer nga ana e dy vëllezërve.

Ish-efektivi i policisë në vitin 2018 u përfshi në ngjarjen e 4 tetorit në ish-bllok ku viktimë mbeti Fabjan Gaxhaj, dhe u plagosën Ervis Martinaj dhe Eljon Hato, gjatë një sherri me Ervin Matën.

Për këtë ngjarje ai u shpall në kërkim policor dhe pas marrjes në pyetje u la i lirë, por mbahej nën vëzhgim nga policia.

26 vjeçari ishte edhe mik i ngushtë i biznesmenit të lojerave të fatit, Ervis Martinaj./ABC News Albania 24/7