Angel Di Maria ka një eksperiencë të madhe dhe është aktivizuar me klube si Rosario, Benfica, Real Madrid, Manchester United dhe PSG. 31-vjeçari ndodhet në formë dhe po zhvillon një sezon shumë pozitiv me kampionët e Francës.
Argjentinasi ka dhënë një rrëfim për sajtin zyrtar të Ligue 1, aty ku ndalet te goditjet e dënimit, atë që mësoi nga Ronaldo dhe Bale te Real Madrid, teksa e mbyll me një koment për Mauro Icardin dhe Kylian Mbappe, dy shokët e repartit te PSG.
GODITJET E DËNIMIT – “Ushtrohem shumë në goditjet e dënimit. Kam luajtur me shumë lojtarë të aftë në goditjet e dënimit, si me Ronaldon te Reali dhe Messin te Argjentina. I kam gjuajtur edhe pse kisha shokë skuadre shumë të fortë në këtë aspekt, madje kam mësuar nga ata.
Gjithmonë mund të përmirësohesh. Te Reali nuk kisha shanse t’i ekzekutoja unë në ndeshje, i gjuanin gjithmonë Ronaldo dhe Bale. Gjithsesi, stërvitja me ta më ka dhënë shumë besim dhe fillova të shënoja nga goditjet e dënimit te PSG. Është një aftësi e rëndësishme, një ndjenjë e bukur”.
ICARDI – “Merremi shumë mirë vesh së bashku. Nuk njiheshim më parë, jemi takuar vetëm një apo dy herë në kombëtare. Ishte një kohë e shkurtër dhe nuk patëm mundësi të njiheshim më mirë”.
MBAPPE – “Sigurisht që Kylian është më i miri. Është lojtari i ri më i mirë me të cilin kam luajtur ndonjëherë. Po flasim për një talent të jashtëzakonshëm. Përveç asaj që shihni në fushën e lojës, ai është një djalosh i mrekullueshëm edhe jashtë saj. Kjo cilësi e bën edhe më shumë fenomenal”. /abcnews.al