Ibsen Elezi: Berisha s’ka mbështetje, bën vetëm zhurmë! Rada: PL një parti klienteliste, të rinjtë shpresonin për një post

schedule23:46 - 25 Tetor, 2024

schedule 23:46 - 25 Tetor, 2024

Në një intervistë në “Ora e Fundit” në ABC News, Ibsen Elezi foli për situatën në Partinë Demokratike dhe thirrjet e ish-kryeministrit Sali Berisha për protestën.

Berisha në një deklaratë më herët nga izolimi në shtëpi, foli këtë të premte edhe për betejë në Parlament për pensionet.

Referuar kësaj deklaratë të ish-kryeministrit Berisha, Ibsen Elezi tha se Berisha e ka kuptuar që nuk ka mbështetje në terren dhe se nuk i beson më askush.

“Zbutja e toneve besoj që vjen nga verifikimi i mbështetjes së aksionit në terren, pra u dallua qartë që nuk ka mbështetjen e duhur. Pra besoj që nuk ka rrugë tjetër do të bëjnë edhe protestën e radhës dhe pas asaj do ta kenë të vështirë. E kanë futur në një cikël që kujtonim që është vetëm i Bashës, por e kanë mësuar të gjithë. Sa i përket faktit që dalin dhe protestojnë në parlamentin europian duhet theksuar që janë BE dhe SHBA që kanë kërkuar ndëshkimin e pandëshkueshmërisë”, tha Elezi.

Më tej Elezi nënvizoi se Berisha dhe Ilir Meta duan vetëm të destabilizojnë vendin. Teksa u ndal tek arrestimi i Metës, Elezi  tha se ishte një goditje e paralajmëruar.

“Arrestimi i Metës, një goditje e paralajmëruar. Por një goditje që është në mesin e saj, do të ketë drejtësi me kompromis, apo drejtësi e plotë. Kjo është për t’u parë.”, u shpreh Elezi.

Nga ana e tij gazetari Ardit Rada tha se gjendja aktuale e opozitës në Shqipëri, çon në fuqizimin e partive të vogla.

“Berisha po përpiqet të “kafshojë” sistemin e drejtësisë me deklaratat dhe qëndrimet ndaj prokurorëve. Ka shpalljen non – grata që dështoi për ta hequr. Por dështoi edhe në gjykatën e Londrës. Problemi është që a duhet të jetë në funksion të Berishës gjithë partia demokratike? Lajmi i mirë është që unë shoh që kanë lindur disa parti të reja”, tha ai.

Ndërsa komentoi arrestimin e Ilir Metës gazetari Rada u shpreh: “Pjesa më e zhgënjyer dhe e tronditur janë ata që rinjtë që ishin pas Metës. Pasi duke parë shembullin e politikës së Metës, si parti klienteliste dhe e sheh korrupsioni si rolin kryesor për t’u fuqizuar. Arrestimi tregoi që PL ka përfunduar si kafene, dhe tregoi që nuk ka më mbështetje në terren dhe askush nuk shkoi të protestonte as në dyert e burgjeve dhe as në dyert e gjykatave”

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!