Ibra, rinovimet, objektivi Europa League, Tonali dhe Pirlo: Pioli “hap kartat”

schedule11:58 - 19 Tetor, 2020

schedule 11:58 - 19 Tetor, 2020

Stefano Pioli ka zhvilluar një punë shumë të mirë në pankinën e Milanit dhe rezultat po vijnë. Triumfi 1-2 në derbin ndaj Interit ka rritur entuziazmin, kuqezinjtë kryesojnë me pikë të plota pas 4 javëve të para, diçka që nuk ndodhte prej 8 vitesh.

Në një prononcim për Radio Anch’Io Sport, trajneri i Milanit flet rreth Zlatan Ibrahimovic, rinovimeve me dyshen Donnarumma-Calhanoglu, kampionatit dhe duelit kundër Celtic në Europa League (e enjte, 21:00).

Nuk e di nëse do të rinovojmë me Ibrahimovic, është e vështirë të mendosh për të ardhmen, as vetë Zlatan nuk po e ka mendjen aty për momentin. Ka shumë kohë deri në sezonin e ardhshëm, nuk është çasti i duhur për të diskutuar për rinovimin. Po flasim për lojtarë shumë të rëndësishëm si Ibra, Donnarumma dhe Calhanoglu. Drejtuesit do të bëjnë gjithçka për të vazhduar përpara së bashku.

Celtic? Ne jemi Milani, është e drejtë të përballemi në çdo takim të çdo kompeticioni me seriozitet dhe ambicie. Nuk jemi në kushtet për të bërë dallime midis turneve ku garojmë. Normalisht që do të ketë ndryshime në formacion, por gjithmonë do të zbresë në fushë skuadra më e mirë.

Duam të bëjmë mirë në Europë, që është kopshti i Milanit. Marrim pjesë në Europën që vlen më pak, por do të tentojmë të fitojmë trofeun, është pjesë e mentalitetit tonë. Ndodhemi në një grup të ekuilibruar (Celtic, Lille, Sparta Prague), por rëndësi ka ta nisim mirë ndeshjen e parë.

Tonali? Sandro ka kaluar një verë të sikletshme, por ka një të ardhme të madhe. Ai zotëron cilësi të shkëlqyera dhe di si ta qarkullojë topin shpejt. Unë e shoh si një titullar, por ndihem me fat që kam edhe shumë lojtarë të tjerë titullarë.

Pirlo? Andrea është një person inteligjent, do ia dalë të gjejë zgjidhet e duhura te Juventusi. Gjithmonë nevojitet kohë kur nis një cikël i ri, por e kemi të gjithë të qartë se në Itali nuk të presin shumë. Gjithsesi, Juventusi mbetet favorit për fitimin e titullit“, përfundon Pioli. /abcnews.al