Një 71-vjeçar në Durrës është arrestuar nga policia. Mësohet se ai gjatë ditës së hënë i vuri zjarrin tokës së tij dhe më pas situata i doli jashtë kontrollit. Si pasojë është djegur një sipërfaqe e madhe toke.
Njoftimi i policisë:
Policia identifikon, kap dhe vë në pranga autorin e dyshuar të një rasti zjarrvënieje.
Në vijim të punës hetimore për identifikimin dhe kapjen e autorëve të zjarrvënieve, bazuar në informacionet dhe provat e siguruara nga Komisariati i Policisë Durrës, u bë identifikimi dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit 71 vjeç, banues në fshatin Bisht Kamëz, Durrës.
Nga veprimet hetimore dyshohet se ditën e djeshme, ky shtetas ka ndezur zjarr në tokën e tij, i cili i ka dalë jashtë kontrolli dhe si pasojë është djegur një sipërfaqe e madhe toke.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.
Drejtoria Vendore e Policisë Durrës apelon për të gjithë banorët dhe në veçanti për ata që kanë në përdorim sipërfaqe kullotash, që në asnjë rast të mos shkaktojnë zjarrvënie, pasi do të përballen me ligjin. Policia fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112, çdo rast të zjarrvënies dhe të paligjshmërisë në tërësi. Reagimi do të jetë i menjëhershëm dhe konform ligjit./abcnews.al