I shpëtoi rrëzimit të avionit, pasagjeri rrëfen eksperiencën e tmerrshme

schedule10:00 - 23 Maj, 2020

schedule 10:00 - 23 Maj, 2020

Rrëzimi i një avioni pasagjerësh në Pakistan shkaktoi vdekjen e 97 personave, ndërsa vijojnë ende kërkimet për trupa.

Muhamed Zubair ishte një nga të paktën dy pasagjerët që mbijetuan pasi Airbus A320 i Pakistanit Ndërkombëtar (PIA) u përplas në një zonë të banuar. Zubair përshkroi eksperiencën e tij të tmerrshme nga ky aksident, prej të cilit ai shpëtoi paq.

Rrëzimi i avionit erdhi disa ditë pasi Pakistani lejoi të rifillojnë fluturimet tregtare, pasi masat bllokuese për shkak të shpërthimit të koronavirusit u lehtësuan.

Si shpëtoi Muhamed Zubair?

Avioni që transportonte 91 pasagjerë dhe tetë ekuipazh, përfshirë shumë familje, që udhëtonin përpara festës së Bajramit të së Dielës ishte nisur nga Lahore.

Teksa po përpiqej të ulej në Aeroportin Ndërkombëtar Jinnah, të Karaçi në rreth orës 14:30 me kohën lokale (09:30 GMT) avioni u përplas me një zonë të banuar.

Zubair, i cili pësoi vetëm plagë të lehta, tha se aeroplani po përpiqej të ulej dhe u rrëzua 10-15 minuta më vonë.

“Askush nuk ishte në dijeni se avioni ishte gati të rrëzohej. Ata po e drejtonin avionin në mënyrë të qetë” tha ai.

Pas rrëzimit të avionit, Zubair humbi ndjenjat. Kur u përmend Zubair tha: “Unë dëgjoja ulërima nga të gjitha drejtimet. Fëmijë dhe të rritur dhe gjithçka që mund të shihja ishte zjarr. Nuk shihja ndonjë njeri, thjesht dëgjoja britmat e tyre”.

“Hapa rripin e sigurimit dhe pashë dritë, shkova drejt dritës. Më duhej të hidhesha poshtë rreth 3m për të arritur te siguria”, shtoi ai.