Familjarët e 31-vjeçarit Ilvi Meta nuk besojnë se djali i tyre ka kryer vetëvrasje në Komisariatin e Kavajës.
Gazetari Leonidha Musaj mëson se babai i të riut është shprehur se policia u ka thënë që djali i tyre u vetëvra me lidhësen e kapuçit të xhupit, por shtojnë se e kanë parë trupin e pajetë dhe sipas tyre, shenja në qafë nuk kishte.
Sipas babait të Ilvit, 31-vjeçari u “ka mbetur në dorë policëve.”
Agim Meta është shprehur: “Djalin e ka vrare policia. Të dalin para drejtësisë autoret. Djali nuk do ta kryente kurrë aktin e vetëvrasjes. Nuk kishte asnjë arsye. Kur kam shkuar te policia, nuk më pranojnë. Skedën e vdekjes nuk e kemi marrë. Policia është problem për të, jo ai për policinë. S’më fusin për të parë fëmijën tim. Mua ma kanë vrarë. E kanë dhunuar që të firmosë një procedurë. Them që po. Po të jetë i vetëvrarë mund të ketë shenja të fyti, nuk është i nxirë.”
Ndërkohë në skendën e vdekjes së 31-vjeçarit shkaku i vdekjes caktohet vetëvara në litar dhe asfiksia. Ora e vdekjes është shënuar 18:50 e mbrëmjes së 4 majit.
Ilvi Meta i cili ishte ndaluar ditën e mërkurë rreth orës 12:00 dyshohet se i ka dhënë fund jetës brenda qelisë duke u vetëvarur, vetëm 6 orë pas shoqërimit nga ana e policisë. Ai u ndalua me akuzën për vjedhje, akuzë për të cilën ishte dënuar edhe më parë.
Burime për Abc bëjnë me dije se ndalimi i tij ditën e mërkurë ishte bërë pasi akuzohej për një vjedhje të ndodhur në datën 2 prill në një banesë në Kavajë, për një makinë qepëse dhe prerëse pllakash. Sipas të njëjtave burime ai ishte identifikuar nga shenjat e gishtave të mbetura aty.
Menjëherë pas kësaj ngjarjeje të rëndë u ngrit një grup hetimor, si dhe kanë shkuar me urgjencë në Komisariatin e Kavajës Drejtori i Policisë së Qarkut të Tiranës, Lorenc Panganika, dhe disa oficerë të SHÇBA-së.
Lidhur me këtë ngjarje të rëndë ka reaguar edhe babai i viktimës Ilvi Meta, Agim Meta, i cili hedh akuza ndaj policisë, ndërsa ka deklaruar se djali i tij u akuza për vjedhjen e një dere alumini.
Po për këtë ngjarje ka reaguar edhe opozita përmes ish-kryeministrit Sali Berisha dhe deputetit të PD, Dashnor Sula, të cilën akuzojnë policinë, duke thënë se i riu nuk është vetëvrarë, por ka humbur jetën si pasojë e dhunës së ushtruar brenda qelisë nga uniformat blu. /abcnews.al/