I riu me sindromën Down vritet për shkak të armës lodër

schedule12:47 - 3 Gusht, 2018

schedule 12:47 - 3 Gusht, 2018

Një i ri u vra nga policia sudeze, ndërkohë që po mbante në dorë një armë lodër. Sipas mediave lokale, Eric Torell, 20 vjeç, kishte sindromën Down dhe një formë autizmi. Oficerët suedezë qëlluan mbi të pasi e konsideruan situatën përballë tij të rrezikshme.

Familjarët e 20-vjeçarit treguan se Eric u shpall i humbur disa orë pasi ishte larguar nga shtëpia e tij të enjten herët në mëngjes. Mamaja e tij tha se lodra ishte një dhuratë. Për mediat suedeze ajo u shpreh se Eric ishte me aftësi të kufizuara dhe kishte probleme në të folur. Ai arrinte të thoshte vetëm fjalën “nënë”.

“Është e pamundur për t’u kuptuar. Ai nuk mund të vriste as edhe një mizë”, tha ajo.

Incidenti ndodhi rreth orës 4 të mëngjesit në kryeqytetin suedez pasi policia iu përgjigj raportimeve se një njeri në rrugë po mbante armë.

Tre oficerë arritën në vendin e ngjarjes dhe e urdhëruan djaloshin që të lëshonte armën pasi sipas tyre ishte armë e rrezikshme. Më pas e qëlluan pasi ai nuk iu bind urdhrit të tyre dhe po sillej në mënyrë të rrezikshme.

20-vjeçari u dërgua në spital dhe vdiq disa orë më vonë për shkak të plagëve të marra. Ai ishte larguar edhe herë të tjera nga shtëpia, por gjithmonë ishte gjetur ose kishte arritur të kthehej vetë në shtëpi.

Këtë herë, fatale për të riun suedez ishte arma lodër që kishte marrë me vete. Lidhur me këtë rast pritet të hapet edhe një hetim për sjelljen e policëve./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!