I quajti shqiptarët njerëz mali, Brukseli reagon ndaj Brnabiç

schedule15:10 - 31 Maj, 2019

schedule 15:10 - 31 Maj, 2019

Reagime të ashpra ndaj deklaratave të Kryeministres serbe Ana Brnabiç për shqiptarët e Kosovës. Një ditë më parë duke iu referuar aksionit të policisë së Kosovës në Veri të vendit, ajo tha se shqiptarët janë të zbritur nga mali. Brukseli e cilëson raciste gjuhën e përdorur nga politikania serbe.

Deklaratat raciste ndaj shqiptarëve të kryeministres së Serbisë Ana Brnabiç, vijojnë të shkaktojnë reagime. Ndërsa Ministria e Jashtme e Kosovës deklaroi se ajo nuk do të lejohet të hyjë në territorin e Kosovës, gazeta Express ka kontaktuar Zyrën e Përfaqësues së Lartë të BE-së e cila e ka dënuar deklaratën e shefes së Qeverisë së Serbisë se shqiptarët janë “njerëz të malit”.

Kryeministrja serbe Ana Brnabiç, nxiti reagime të shumta kur tha se shqiptarët “janë njerëz të dalë nga mali” duke iu referuar liderëve politikë aktualë që dikur ishin pjesë e UCK’së.  Këtë deklaratë ajo e bëri në prani të shefit të delegacionit të BE-së në Serbi, Sem Fabrizio. Liderët kosovarë, përfshirë presidentin Thaçi kërkuan që BE të dënojë gjuhën raciste të kryeministres serbe.

Gazeta Express përmes e- emailit ka komunikuar me Maja Kocijançiç Zëdhënëse e Shefes së Diplomacisë së BE-së. E pyetur rreth qëndrimit të BE-së ndaj deklaratës së Bërnabiç për shqiptarët, ajo thotë se çdo retorikë fyese është në kundërshtim me qasjen bashkëpunuese dhe pajtuese ndërmjet dy shteteve.

Për deklaratën e Brnabiç Presidenti Hashim Thaçi ka thënë se kjo gjuhë është një tjetër dëshmi e urrejtjes patologjike të regjimit aktual të Serbisë kundër qytetarëve të Kosovës.

Edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se ndjehet i zhgënjyer me mosreagimin e BE-së.

Ndërsa, kosovarët kanë nxjerrë fotografi nëpër rrjete sociale nga malet. Kundër kryeministres serbe po bëhet fushatë në Twitter me hashtagun “Njerëzit nga mali” dhe “Fjalë për fjalë të shfaqur nga mali”.

Kësaj fushate i është bashkuar edhe Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt, i cili ka thënë gjermanët janë adhurues të maleve. Duke vulosur edhe njëherë mbështetjen që Kosova e ka nga superfuqia e madhe botërore -Gjermania./ABC News Albania 24/7