Ditën e sotme në “ABC Mëngjesit” ishte i ftuar në një lidhje skype nga SHBA një personazh shumë interesant, e më interesante ishte historia e jetës së tij.
Ylli Brekofca, një muzikant e njohur vite më parë në Tiranë, që udhëtoi në SHBA në moshën 65-vjeçare.
Pas 3 muajsh qëndrimi në Amerikë, fati deshti që ai të krijonte grupin e tij muzikor që do të kthehej me pas në mundësinë më të madhe të jetës së tij, punë të cilën e vazhdon edhe sot.
“Nuk e di mbase zoti ka qenë më mua. Sepse integrimi këtu është shumë i vështirë, gjithësesi unë ia dola. Ka qenë komplet rastësi. Unë kam ardhur i madh në moshë këtu, 65 vjeç. Por mu desh që të çaja se nga natyra kam qenë shumë punëtor dhe shumë aktiv. Por nuk po gjeja mënyrën se si të çaja. Atëherë thash po i futem shkollës, mos i humb ditët kot. Shkova në shkollë për të mësuar anglisht, por as atje nuk po merresha dot vesh.
Më thot ajo mësuesja do vij të mësoj në shpi dhe ramë dakord që ajo të vinte të më mësonte në shtëpi. Vazhduam shumë bukur, një dite më thotë do vish të marrësh pjesë në një koncert ku janë emigrantë, por i them unë me shumë kënaqësi edhe lemë ditën e takimit dhe shkojmë në sallën ku mbahej koncerti.
Në atë koncert këndonin dhe një nga ata ishte ai që i binte kitarës, që është aty ne foto me mua. I afrohem atij nëpërmjet motrës, se atëherë jetoja me motrën, ajo tani nuk jeton më për shkak të Covid. Motra i thotë që edhe vëllai im është muzikant, por nuk po gjen njerëz që të bashkohet. Ai ishte sipërmarrës i një firme që riparon shtëpitë. E pyet motrën time, se çfarë pune bën vëllai, ajo i thot që bën gjithçka. Në fundi ai më mori në punë.
Një dite pas një muaji që kishim punu, më thot është një shoqja ime që do të takohet me ty. Nuk kuptoheshim dot me të, por e përktheheshim me celularë dhe pranova të shkoj të takohem. Kur e takova ajo ishte rreth 45 vjeç dhe kishte një fizarmonikë. Ky djali ishte interesuar dhe kishte blerë një fizarmonik dhe ma bënë dhuratë. Unë nuk kisha marrë fizarmonike me vete se nuk kisha menduar se në atë moshë do të punoja sërish, mirëpo ai u kthye në mundësinë më të madhe në jetë.
Unë kërkova që të bashkoj grupin dhe jo me muzikant shqiptare, por me muzikant të huaj. Ne as gjuhën se dimë mirë dhe merremi vesh me gjuhën e muzikës” tregoi ai.
Ai tregon se ka qenë një muzikant shumë i njohur në Tiranë, pasi ka punuar në shumë lokale. Në Amerikë shton ai i afruan të marrë pjesë në koncerte dhe më pas vendosi të bëjë një videoklip që e bëri me të njohur, duke i shtuar punën ndjeshëm.
“Unë humba vetëm tre muaj kohë. Unë kam qenë muzikant shumë i njohur në Tiranë. Kam punuar gjithë lokaleve të Tiranës.
Pastaj këtu në Amerikë më afruan që të marrë pjesë nëpër koncerte. Një ditë mora vendimin që të bëja një videoklip, aty mora pak famë dhe më ftuan në një festival.
Pas Covid, u bllokua situata, tani është hapur sërish dhe kam shumë punë” shtoi muzikanti Brekofca.
Muzikanti shton se ata që e ftojnë nëpër lokale dhe koncerte janë kryesisht amerikanë edhe pse ka shumë shqiptarë që jetojnë atje.
Më pas ai tregon edhe një histori interesante që i ka ndodhur vite më parë në Tiranë, teksa ishte duke lëvizur me makinë të cilën e kishte të mbushur me vegla muzikore dhe e ndalon policia.
Në momentin që policia i bën testin e alkoolit, rezulton se muzikanti nuk kishte konsumua, e më pas ai tenton t’i ofrojë një shumë parash, me policin që ai kthen “ty qenka për të dhënë para, jo për të marrë, muzikant që nuk pi raki”, tregoi ai duke qeshur./abcnews.al