I pakënaqur nga loja ndaj Maltës, Southgate kërkon më shumë nga Anglia: Nuk kemi arritur pritshmëritë këtë vit

schedule18:36 - 18 Nëntor, 2023

schedule 18:36 - 18 Nëntor, 2023

Anglia arriti një fitore të lehtë, mbrëmjen e së premtes, teksa në mitikun “Ëembley”, të Londrës mundi me rezultatin e pastër, 2 me 0, skuadrën e Maltës, në përballjen e vlefshme për xhiron e fundit të fazës kualifikuese, të Kampionatit Evropian të futbollit, Euro 2024.

Mirëpo, pavarësisht sigurimit të 3 pikëve, që ishte obligim për “Tre Luanët” ndaj një kundërshtari si Malta, tekniku i këtyre të fundit, Gareth Southgate, nuk ishte aspak entuziast, teksa pas ndeshjes tha se nuk ishte i kënaqur me lojën e skuadrës së tij.

“Nuk kemi arritur pritshmëritë e duhura këtë vit. Kemi mundësitë për të zhvilluar një futboll shumë të mirë. Kur nuk e nis siç duhet një ndeshje, është e vështirë, për të marrë ritmin gjatë pjesës tjetër të lojës.

Nuk shfaqëm shumë cilësi me topin, nuk krijuam shumë mundësi shënimi, por kam qenë futbollist vetë dhe e di mjaft mirë se si janë këto ndeshje. Numri i ndeshjeve që lojtarët luajnë gjatë ditëve të sotme është i pabesueshëm. Në pjesën e dytë, kishim më tepër iniciativë, por në fund të fundit është një fitore 2-0”,-  u shpreh Southgate. /i.m /abcnews.al 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!