Trajneri i Kukësit, Shpëtim Duro, sulmon presidentët e klubeve që vlerësojnë më shumë teknikët e huaj sesa ata shqiptarë. Duro është i lumtur për kryesimin e Superligës, ndërsa flet për planet e tij në janar.
Edhe kur është i pari, e detyron veten që të mos e kalojë masën. Nuk di të jetë euforik Shpëtim Duro, trajneri i Kukësit kryesues të Superiores, edhe pse vlerësimi për veten nuk i mungon aspak. Jo vetëm stima personale, por edhe për kolegët e tij shqiptarë, ndërsa nuk ngurron të sulmojë politikën e klubeve me trajnerët e huaj.
Një koment pas shkarkimit të Franko Lerdës nga Partizani. “Ana profesionale e shumë trajnerëve në Shqipëri është e një niveli shumë më të lartë se ajo e nivelit të trajnerëve që kanë ardhur në Shqipëri. Po t’i hedhim një vështrim 10 viteve të fundit, janë trajnerët shqiptarë që kanë pasur suksese edhe në fitimin e kampionateve, edhe në fitimin e Kupave, edhe në kupat e Europës. Kanë dëshirë klubet, se unë e kam edhe eksperiencë, që t’i paguajnë trefish më shumë se ne, por që në nivelin profesional janë poshtë nesh.
Përtej kësaj polemike, si i duket Duros Kukësi I tij kryesues? “Jemi në vendin e parë, por është e përkohshme. Është luajtur vetëm gjysma e kampionatit. E rëndësishme është të jesh pari në fund, jo në këto momente. Megjithatë është pozitive, pasi pas shumë përpjekjesh, lufte dhe sakrificash, tani jemi në pozita të mira”.
Dy kanë qenë shqetësimet e tij kryesore, dhe njëri prej tyre do të vazhdojë. “Të jesh në vend të parë dhe të luash jashtë fushës tënde dhe pa mbështetjen e spektatorëve, padyshim është një sakrificë e madhe, në raport me ekipet si Partizani dhe Tirana që kanë tifozë të shumtë.
Lojtarët e ardhur, sidomos Abazaj dhe Gavazaj, kanë qenë pa numrin e ndeshjeve të plota sezonin e kaluar. Gjithashtu edhe pa stërvitjet e duhura. Them që kanë hyrë në ritmin e duhur në ndeshjet e fundit. Kemi pasur edhe dëmtime, por 3-4 ndeshjet e fundit është hera e parë që skuadra ka qenë e plotë.
Pati shqetësim për repartin mbrojtës të Kukësit, a do të ketë përforcime në janar? “Kemi marrë gola më pak se skuadrat e tjera. Edhe ato gola, 50 për qind të tyre i kemi marrë me penallti. Kjo tregon që skuadra ka qenë mirë. Nuk është vetëm mbrojtja, por mënyra e lojës në tërësi. Të shikojmë kur të mbarojë kampionati. Deri tani mendoj që të mos bëjmë ndryshime në merkaton e janarit”, tha tekniku i Kukësit, në intervistën e dhënë për gazetarin e ABC News, Bledar Kuka. /abcnews.al