Ndonëse po përjetojmë ditë me temperatura përvëluese, për Shqipërinë ato mbeten fatmirësisht ende larg rekordit të të nxehtit të regjistruar ndonjëherë në vendin tonë, që është 43,9 gradë celcius. Në Ballkan rekordin më të lartë e mban Greqia me 48 gradë celcius.
Ajri i nxehtë nga Afrika ka alarmuar Evropën, duke nxitur paralajmërime shëndetësore për pluhurin e shkretëtirës së Saharasë dhe temperaturat jashtëzakonisht të larta që parashikohen të arrijnë 47 gradë Celsius në disa zona jugore.
Kjo është shumë pranë temperaturës rekord që është shënuar në vitin 1977 në Athinë , 48 gradë celcius.
Portali Jakub Marian Maps ka publikuar së fundi hartën ku tregohen rekordet e temperaturave më të larta të regjistruara zyrtarisht në botë.
Vendin e parë e mban Kalifornia në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, 56.7 gradë celcius në vitin 1913.
Të tjerat janë shënuar në Tunizi në Afrikë, 55 gradë celcius, Në Izrael, Iran, Irak, Kuvajt e Pakistan temperaturat më të larta të shënuara janë 53-54 ° C, në Oqeani temperaturat më të larta të regjistruara janë 50.7 ° C, ndërsa në Amerikën e Jugut, temperatura më e lartë është shënuar në Argjentinë, 48.9 ° C.
Evropa nuk ka këto rekorde megjithatë alarmi i kuq është ndezur aktualisht në disa shtete si Spanja e Portugalia.
Pas Greqisë, për rekord më të lartë renditet Bosnjë dhe Hercegovina, ku temperatura më e lartë ka qenë 46.2 gradë Celsius, Maqedonia me një temperaturë 45.7 gradë Celsius, Mali i Zi ka shënuar një temperaturë 44.8 gradë ndërsa Serbia 44.9 gradë Celsius.
E parafundit renditet Shqipëria ku sipas portalit Jakub Marian Maps ku temperatura më e lartë e regjistruar është 43.9 gradë Celsius. Kosova zë vendin e fundit duke regjistruar temperaturën e lartë më të ulët në të gjithë rajonin 42 gradë celcius.
Ajo çka shqetëson më shumë ekspertët e meteorologjisë janë të dhënat se temperaturat e nxehta në mbarë Evropën nuk tregojnë shenja të rënies, përkundrazi. /abcnews.al