Nga Ajgena Korbi
Zemra dhe humbja e ndjenjave janë ato që kanë shqetësuar më shumë pushuesit në zonat turistike. Drejtori i Urgjencës, Skënder Brataj tregon se në rreth një muaj e gjysmë në qendrat shëndetësore verore janë kryer me shumë se 15 mijë vizita. Mes tyre nuk kanë munguar as personat e konfirmuar me Covid 19.
“Qendrat Shëndetësore turistike janë pajisur të gjitha me teste të shpejta. Janë bërë disa dhe janë identifikuar disa persona që më pas janë drejtuar në spitale. Baza e piramidës së sëmundshmërisë është ajo kardiologjike, të shtuar edhe humbja e ndjenjave për arsye edhe të të nxehtit. Temperaturat e larta janë një faktor mund të çojë në gjendje të të fiktit”, thotë Brataj.
Kujdes të veçantë sipas mjekut këto ditë të nxehta duhet të tregojnë fëmijët dhe të moshuarit, sidomos ata që trajtohen për hipertension.
“Nuk duhet të dalin në orët e nxehta dhe sidomos të këshillohen me kardiologun për çdo rast”, është shprehur më tej Brataj.
Që prej qershorit në pikat turistike nga veriu në jug 29 qendra shëndetësore ofrojnë shërbim përgjatë 24 orëve në 7 ditë të javës.
/abcnews.al/