Avionët izraelitë mëngjesin e së dielës kanë kryer sulme ajrore pranë spitalit më të madh në Gazë, që është i mbushur me pacientë dhe dhjetëra mijëra palestinezë që po kërkojnë strehim, thanë banorët. Izraeli tha se militantët e Hamasit – që udhëheqin Gazën – kanë një qendër komanduese nën spital, duke mos dhënë dëshmi të tjera për këtë pretendim.
Sulmet vijnë pasi kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, njoftoi për “fazën e dytë” të luftës së Izraelit ndaj Hamasit, tri javë pasi Hamasi kreu sulme në Izrael më 7 tetor. Tanket dhe këmbësoria gjatë fundjavës hynë në Gazë, në atë që zyrtarët e përshkruan si zgjerim të ofensivës tokësore, përderisa Izraeli sulmoi terrorin nga ajri, toka dhe deti.
Bombardimet, që sipas banorëve të Gazës janë më intensivet gjatë kësaj lufte – goditën linjat e komunikimit të premten mbrëma, duke shkëputur komunikimin me botën jashtë të kësaj enklave me 2.3 milionë banorë. Komunikimi është rivendosur sipas kompanive lokale të telekomunikacionit dhe atyre që ofrojnë shërbime të internetit.
Banorët thanë se sulmet e fundit ajrore kanë shkatërruar pothuajse të gjitha rrugët që çojnë për në spitalin Shifa në Qytetin e Gazës, që gjendet në pjesën veriore të territorit të rrethuar. Izraeli tha se shumica e banorëve kanë respektuar urdhrin e tij për t’u larguar në jug, por qindra mijëra vazhdojnë të jenë në veri, pjesërisht për shkak se Izraeli po ashtu ka shënjestruar të ashtuquajturat zona të sigurta.
Dhjetëra mijëra persona po strehohen në spitalin Shifa, që është i mbushur me pacientë që janë plagosur gjatë sulmeve ajrore.
“Shkuarja deri te spitali është bërë jashtëzakonisht e vështirë”, tha Mahmoud al-Sawah, që po strehohej në spital. “Duket se ata kanë shkëputur lidhjet në këtë zonë”, shtoi ai, raporton AP.
Ndërkaq, Abdallah Sayed, banor i Qytetit të Gazës tha se bombardimet izraelite gjatë dy ditëve të fundit “ishin më të dhunshmet dhe më intensivet” që kur ka nisur lufta.
Ushtria izraelite ende nuk ka komentuar për sulmet afër spitalit Shifa.
Ushtria ka publikuar imazhe të gjeneruara me kompjuterë që shfaqin atë që ushtria pretendon se janë instilacione të Hamasit në dhe përreth spitalit Shifa. Po ashtu, ushtria tha se këto pretendime të saj mbështeten edhe në bazë të informacioneve që kanë marrë nga luftëtarët e Hamasit që janë kapur nga autoritetet. Izraeli edhe në të kaluarën ka bërë pretendime të ngjashme, por nuk ka ofruar prova për t’i mbështetur ato.
Megjithatë, pak dihet për tunelet e Hamasit dhe infrastrukturën tjetër dhe këto pretendime nuk kanë mundur të konfirmohen në mënyrë të pavarur. Qeveria e Hamasit ka hedhur poshtë pretendimet duke i cilësuar si “gënjeshtra” dhe duke thënë se pretendimet e Izraelit ishin vetëm “paralajmërim për të goditur ndërtesën”.
Të shtunën, ushtria izraelite publikoi fotografi të tankeve duke lëvizur në Gazë – dhe duket se fotografitë ishin realizuar afër kufirit – dhe tha se avionët luftarakë kanë bombarduar dhjetëra tunele dhe bunkerë nëntokësorë të Hamasit.
Presioni ndaj Qeverisë izraelite është rritur nga familjarët e afër 230 pengjeve që u morën nga Hamasi më 7 tetor, të cilët po kërkojnë që të lirohen. Familjarët e pengjeve janë takuar me Netanyahun dhe kanë shprehur mbështetje për këmbimin e pengjeve me të burgosurit palestinezë që mbahen në Izrael.
Lideri kryesor i Hamasit në Gazë, Yehia Sinwar, tha se militantët palestinezë “janë të gatshëm që menjëherë” të lirojnë të gjitha pengjet nëse Izraeli liron mijëra palestinezë që i mban në burgje. Por, zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Daniel Hagari, e hodhi poshtë këtë ofertë duke e cilësuar si “terror psikologjik”.
Ndërkaq, Netanyahu gjatë një konference për media një ditë më parë tha se shteti i tij është i vendosur që të kthejë të gjitha pengjet, duke shtuar se zgjerimi i operacionit tokësor “do të na ndihmojë në këtë mision”.
“Kjo është faza e dytë e luftës dhe objektivat janë të qarta: të shkatërrojmë aftësitë ushtarake dhe qeverisëse të Hamasit dhe të sjellim në shtëpi pengjet”, tha ai.
Netanyahu e pranoi se sulmi i 7 tetorit ishte “një debakël”, në të cilin u vranë mbi 1.400 persona, duke shtuar se duhet të kryhet hetim.
Pavarësisht ofensivës së Izraelit, militantët palestinezë kanë vazhduar të gjuajnë raketa në Izrael, përderisa sirenat për sulme ajrore janë të aktivizuara vazhdimisht në jug të Izraelit.
Numri i viktimave në Gazë u rrit të shtunën, duke arritur mbi 7.700. Ministria e Shëndetësisë në Gazë tha se shumica e viktimave janë gra dhe të mitur. Po ashtu, sipas kësaj ministrie, vlerësohet se 1.700 persona vazhdojnë të jenë të bllokuar nën rrënoja të ndërtesave të shkatërruara.
Izraeli ka thënë se sulmet e tij ajrore kanë për cak luftëtarët e Hamasit dhe infrastrukturën e tyre, duke shtuar se militantët operojnë në mesin e civilëve, duke i vënë ata në rrezik.
Mbi 1.4 milion banorë në mbarë Gazën janë larguar nga shtëpitë e tyre dhe gjysma janë strehuar në shkollat dhe strehimoret e Kombeve të Bashkuara pas paralajmërimeve të ushtrisë izraelite se do të jenë në rrezik nëse qëndrojnë në pjesën veriore të Gazës. Askush nuk është lejuar të largohet nga territori i rrethuar dhe Izraeli ka lejuar vetëm pak ndihma ushqimore dhe shëndetësore të hyjnë nga Egjipti. /rel