“I lumtur që do ta luaj finalen në vendin tim”, Calhanoglu: Ndaj City është vështirë, por nuk kemi frikë

schedule19:44 - 6 Qershor, 2023

schedule 19:44 - 6 Qershor, 2023

Teksa vetëm 4 ditë na ndajnë nga finalja e madhe e UEFA Champions League, mes “qytetarëve” të Manchester City e “zikaltërve” të Inter, këta të fundit kanë organizuar ditën e sotme në qendrën stërvitore, “Appiano Gentile”, “Media Open Day”, ku të gjithë lojtarët kanë bërë nga një koment në prag të finales.

Për mikrofonat disa fjalë i tha dhe “arkitekti” turk i mesfushës së Inter, Hakan Calhanoglu ku padyshim në fokus të fjalës së tij nuk mund të mos ishte finalja e madhe e Stambollit, ku tha se është shumë i lumtur dhe për vendin e tij, Turqinë që pret këtë eveniment të rëndësishëm.

“Jam shumë i lumtur që do të luajmë në vendin tim, jam krenar.  Do të jetë një ndeshje e mirë. Është një nder i veçantë të jesh në finale pas kaq shumë vitesh. Natyrisht e dimë se do të jetë e vështirë, ne e respektojmë Cityn, por nuk kemi frikë. Ne kemi luajtur gjithmonë shumë mirë, veçanërisht kundër skuadrave të forta në Champions League.

Ne dominuam. Ne jemi një ekip i mirë. Shpresoj të ngre trofeun, ky është qëllimi im i parë. Do të ishte diçka që vlen për të gjithë karrierën time. Shpresoj të kem sukses. Por nëse dështoj, nuk do të jem aspak i trishtuar sepse jam ende shumë i lumtur që jam në finale”,- u shpreh Calhanoglu gjatë fjalës së tij. /i.m /abcnews.al 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!