“I lumtur për fitoren”, Simeone me synime të qarta: Tani të fokusohemi te Barcelona

schedule11:56 - 29 Nëntor, 2023

schedule 11:56 - 29 Nëntor, 2023

“Los Colchoneros” e Atletico Madrid treguan edhe një herë se janë në formë fantastike këtë sezon, teksa mbrëmjen e së martës, që sapo lamë pas fituan me rezultatin e thellë, 3 me 1, transfertën e “tulipanëve” të Feyenoord, duke siguruar si të parët e grupit, një vend në raundin e 1/8-ve të UEFA Champions League.

Një koment të shkurtër pas kësaj fitoreje e bëri edhe tekniku i “bardhekuqve” të Madridit, Diego Simeone, i cili pasi vlerësoi lojtarët për performancën e tyre fantastike u bëri thirrje që ta fokusojnë të gjithë energjinë e tyre, te përballja e radhës, në La Liga, ndaj “katalansve” të Barcelona.

“Jam shumë i lumtur për lojtarët, ata po zhvillojnë ndeshje shumë të rëndësishme. Ne i dinim vështirësitë e të luajturit në këtë stadium ndaj këtij kundërshtari, por e interpretuam mirë takimin. Golin e tretë mund ta shënonim më shpejt, por na mungoi freskia dhe saktësia. Gjithsesi, ne kishim vite që nuk mbërrinim kaq të qetë në ndeshjen e fundit të fazës së grupeve.

Le të përqendrohemi te sfida e së dielës ndaj Barcelonës, një skuadër me futbollistë të mrekullueshëm dhe një trajner të mirë me ide të qarta”,- u shpreh pas përfundimit të ndeshjes, tekniku argjentinas.

Ndërkaq, kujtojmë se mbrëmjen e së ditelës, “Loc Colchoneros” do të udhëtojnë drejt transfertës së “Estadio Olimpico”, aty ku i pret Barça, kampione në fuqi e La Liga-s, përballje kjo që pritet të jetë tejet e luftuar, me të dyja skuadrat që ndajnë vendin e 3-të të renditjes, me nga 31 pikë. /i.m /abcnews.al