Alexandre Pato që nga vera është lojtar i lirë, pas largimit nga Sao Paolo në Brazil dhe është në kërkim të një klubi të ri. Gjatë javëve të fundit ai e ka bërë të qartë se dëshiron rikthimin në Serie A, por ofertat deri më tani kanë munguar.
Për 31-vjeçarin mësohet se ka shkuar një ofertë nga Argjentina. Klubi i rinisë së Diego Maradonës, Argentinos Juniors mësohet t’i jetë drejtuar brazilianit me ofertë konkrete. Lajmin e bën të ditur vetë presidenti i klubit të elitës së futbollit argjentinas.
Cristian Malaspina në një prononcim në Argjentinë shprehet se po pret përgjigjen e Pato, që në fakt nuk ka shumë zgjedhje në tavolinë. “I bëmë Patos një ofertë, e duam atë në skuadrën tonë. Është lojtar i lirë dhe shumë situata na shtynë ta telefonojmë, tani presim përgjigjen e tij”, u shpreh Malaspina. /abcnews.al