I jepet lamtumira e fundit kompozitorit të madh italian, Ennio Morricone

schedule14:28 - 7 Korrik, 2020

schedule 14:28 - 7 Korrik, 2020

Është përcjellë për në banesën e fundit dirigjenti legjendar, kompozitori italian Ennio Morricone. Pas një ceremonie mortore private, ku morën pjesë disa miq të afërt, Morricone u përcoll për në banesën e fundit në Laurentino në Romë.

Morricone ndërroi jetë në moshën 91-vjeçare në një klinikë në Romë. Ka qenë vetë artisti i madh, që ka kërkuar mbajtjen e një ceremonie të thjeshtë, përmes një letre që u bë publike vetëm pak orë pasi ndërroi jetë.

“Ekziston vetëm një arsye që më shtyn t’i përshëndes të gjithë si në këtë letër dhe të bëj një funeral tërësisht privat: Nuk dua t’ju shqetësoj!”, thuhet ndër të tjera në nekrologjinë e vdekjes së tij. Funerali u mbajt në prani të anëtarëve të familjes së tij dhe dy miqve më të ngushtë, Giuseppe Tornatore dhe avokatit Giorgio Assumma, të cilët ishin në gjendje t’i jepnin lamtumirën e fundit dirigjentit italian.

Ai njihet për realizimin e shumë kolonave zanore të filmave të kinematografisë botërore, si edhe është fitues i dy çmimeve Oscar, në vitin 2016 dhe 2017. Disa nga realizimet e tij muzikore më të mira janë për filmat The Good, the Bad and the Ugly, Malena, Once Upon a Time in the West dhe shumë të tjerë. Përveç këtyre, ai fitoi dy Golden Globes, katër Grammys dhe dhjetëra çmime ndërkombëtare.  /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!