I jep fund jetës 71-vjeçari në Korçë, dyshohet se vrau kunatin

schedule09:45 - 9 Korrik, 2019

schedule 09:45 - 9 Korrik, 2019

Vetëvritet autori i dyshuar i vrasjes së 57-vjeçarit Gramoz Nako, dje në Korçë. Policia bën të ditur ne një njoftim zyrtar se 71-vjeçari Sefedin Zenellari, kunati i viktimës së djeshme Gramoz Nako, u vetëvra sot në mëngjes në banesën e tij, kur policia shkoi për ta shoqëruar në komisariat.

Kur policia trokiti në shtëpinë e 71-vjeçarit ai kishte qëlluar veten me pistoletë në gjoks. Sefedin Zenellari i dha fund jetës një natë pasi ishte vrarë kunati i tij Gramoz Nako. Hetuesit në Korçë dyshonin që Zenellari ishte i dyshuari i këtij krimi. Fillimisht kunetërit duhet të jenë përleshur fizikisht dhe 57-vjeçari u gjet me rroba të grisura. Ai kishte marrë tre plumba, dy prej tyre në brinjë. Nuk dihen shkaqet e ngjarjeve njëra pas tjetrës, por një sërë të dhënash çuan policinë e Korçës në dyert e Zenellarit. Ai ishte një burrë i divrocuar dhe jetonte vetëm.

Grupi hetimor po punon për sqarimin të rrethanave të dy krimeve. Për vrasjen e Gramoz Nakos u ngritën dyshime në pistën e grabitjes. Thuhet se familjarët raportuan në polici që  viktimës i janë marrë nga xhepi 13 mijë euro. Por kjo mbetet për t’u verifikuar.

Mbrëmjen e së hënës 57-vjeçari Gramoz Nako u gjet pa shenja jete nga bashkëshortja e tij në shtëpinë e tyre, në lagjen 7 në qytetin e Korçës. Fillimisht policia dyshoi se bëhej fjalë për vetëvrasje, por ekspertiza mjeko- ligjore konfirmoi se Gramoz Nako ishte vrarë me arme zjarri.
Viktima Nako ishte emigrant në SHBA dhe para pak ditësh ishte kthyer në atdhe. ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!