“I jam mirënjohëse për jetë Shegushe Bebetit, më tregoi sekretet e kukullave”, Meta kujton rolin e parë në Teatër

schedule11:21 - 14 Mars, 2024

schedule 11:21 - 14 Mars, 2024

Gjatë rrëfimit të saj, në emisionin “Pas Mesnate”, aktorja e Teatrit të Kukullave, Jorida Meta ka shprehur mirënjohjen e saj ndaj Mjeshtres së Kukullave Shegushe Bebetin.

Ajo ka treguar se Shegushja e ka ndihmuar shumë në këtë rrugëtim, duke i treguar sekretet e profesionit dhe është pjesë që e ka pjesë të jetës së saj.

“Pa ndihmën e Gushit, nuk do isha kjo që jam sot. Më ka ndihmuar shumë, më ka suportuar shumë, duke më dhënë shumë mundësira. Kemi pasur grindje me njëra-tjetrën, më thoshte bëje kështu dhe unë mendoja që e bëja mirë, ndërkohë, ajo më shikonte nga jashtë se si e bëja. Por që pa ndihmën e Gushit, nuk do ia dilja. Ka qene një shtyllë kryesore në rrugëtimin tim, prej 20 vitesh dhe vazhdon të jetë”.

Më tej, Jorida është ndalur dhe te roli i parë që ka vënë në skenën e Teatrit të Kukullave, i cili është ai i gjyshes së Kësulkuqes, prej të cilit ka mësuar shumë.

“Roli im i parë ka qene te shfaqja Kësulkuqja dhe unë kam luajtur gjyshen. Në fakt ne ishim tre aktorë dhe ne duhet të koordinoheshim me njëri-tjetrin, lë një kukull, kap një kukull, dhe unë që këmbëngulja që nuk doja të bëja vetëm gjyshen, doja të bëja më shumë. Doja të bëja dhe Gjahtarin dhe regjisori Paolo thoshte dil përpara pasqyrës dhe shikoje kukullën tënde si lëviz. Janë disa elementë që sa do që ai i shpjegonte për mua, që isha fillestare, ama erdhi një pikë që më thoshte ti i ke memorizuar  ato që të kam thënë unë tani dhe dil përpara pasqyrës dhe shikoje se si ajo lëviz. Unë i kam të gjitha leksionet e Paolos dhe të Gushit se si kukulla lëviz, se si ajo ecën, i kam të gjithë të memorizuara”./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!