Ministria e Arsimit, për shkak të uljes së temperaturave nën zero ka pezulluar për 3 ditë mësimin në të gjithë shkollat dhe në gjimnaze. Ndërkohë në lidhje me këtë vendim të ministrisë për të mbyllur shkollat për shkak të të ftohtit ka reaguar qëndresa qytetare.
Përfaqësuesi i saj Migen Qiraxhi, në një deklaratë për mediat është shprehur se vendimi është marrë pasi shkollat vuajnë nga mungesa e ngrohjeve. Ai theksoi ndër të tjera se duhet shtuar presioni i prindërve e mësuesve ndaj institucionit arsimor, në mënyrë që të ketë përmirësim të situatës.
“Ministrja po bën meteorologen dhe s’po bën asgjë tjetër. Nuk do të jetë ftohtë vetëm këto ditë. Askush nuk mund të surprizohet që në muajt janar dhe shkurt bën ftohtë. Kjo ministri dhe arsimi është kthyer në momentin që e la dhe Migjeni, një kafshatë që nuk kapërdihet. Ne jemi këtu për të adresuar problematikat e mësuesve, komunitet që është marrë peng, është ngarkuar me të gjitha vështirësitë. Ky profesion ka kosto fizike. Mësuesit tonë sot nuk kanë mbështetje për COVID-in, kanë orë shtesë, punojnë me turne. Mësimxënia e fëmijëve dëmtohet, e ky mision kthehet i pamundur, në mjerim. Ju e keni parë që asnjë mësues nuk thotë dot kam ftohtë.
LEXO EDHE: Acari mbyll shkollat për tre ditë në Shqipëri
Ekipi i qëndresë ka marrë njoftime nga shumë mësues. Ne kemi përgjegjësinë të ndihmojmë këtë komunitet të madh që për shkak të gjitha presioneve e ka të vështirë të ankohet. Ne jemi për t’i thënë qytetarëve që të mbështesin mësuesit e të bëjnë më shumë për këtë komunitet. Në qytetin e Tiranës qytetarët në 5 vite kanë publikuar taksë për arsimin, rreth 26 mln euro. Në Dibër, në Maqellarë, nuk kanë ngrohje.
Nxënësit marrin dru për të ngrohur klasën. Misioni për mësimnxënie të nxënësve është kthyer në sfidë. Në Berat mësimi zhvillohet në eurolloto sepse shkolla është dëmtuar. Sigurisht ne shohim shpenzime luksi, por arsimi nuk ka infrastrukturë. Në të gjithë këtë situatë ku vendi jonë ka ministri për të menaxhuar fondet”, ka thënë ai.
Ndër të tjera ai ka theksuar se në kuadër të protestës së sotme ato i kanë dërguar ministres Kushi disa ngrohëse modeste./abcnews.al