I dyshuar për vrasjen e Endri Mustafës, vëllai i Ibrahim Licit: U vetëdorëzua në Turqi për të kërkuar azil. Është i pafajshëm, në Shqipëri i rrezikohet jeta

schedule11:07 - 15 Shkurt, 2024

schedule 11:07 - 15 Shkurt, 2024

Hamza Lici, vëllai i Ibrahim Licit të arrestuar në Turqi si i dyshuar për vrasjen e Endri Mustafës, thotë se ai nuk është arrestuar nga policia por është vetëdorëzuar me qëllim për të kërkuar azil në shtetin turk për shkak se ndihet i pasigurtë në Shqipëri. Ai pretendon se vëllai i tij është i pafajshëm.

“Vëllai im nuk është arrestuar siç deklaroi me bujë policia e shtetit në Shqipëri por është vetëdorëzuar tek autoritetet turke me qëllim për të kërkuar azil pasi nuk ka besim tek shteti dhe qeveria shqiptare. Shteti në Shqipëri është vërtetuar se bashkëpunon me bandat kriminale ndaj Ibrahimi ka vendosur që të vetëdorëzohet në Turqi. Në Shqipëri vëllait tim i rrezikohet jeta dhe në këtë mënyrë ka vendosur që të vetëdorëzohet. Nuk është e vërtetë se është arrestuar por si gjithmonë policia kërkon që t’i bëjë të bujshme edhe pse nuk ka asgjë të vërtetë. Vëllai im është i pafajshëm pasi nuk ka kryer asnjë vrasje dhe kjo është e vërtetuar por drejtësia shqiptare nuk do që t’i marrë parasysh. Ibrahimi do të ndjekë procedurat e azilkërkuesit në Turqi dhe nuk mund të ekstradohet pasi në Shqipëri jeta e tij është në rrezik nga bashkëpunimi i shtetit me bandat kriminale“, deklaroi Hamza Lici nga Turqia.

Ibrahim Lici është një person i njohur për policinë. Emri i tij lidhet me ngjarje të bujshme në Shkodër. Ndërsa Endri Mustafa njihej si pjesëtar i grupit të Bilalajve në Shkodër. Në familjet Lici dhe Bilali janë kryer një sërë vrasjesh. Në gusht 2018 u ekzekutua me kallashnikov Fatbardh Lici, vëllai i Mustafa Licit.
Në mars 2019 u vranë në derë të shtëpisë Brahim dhe Astrit Bilali. Për krimin e dyfishtë u shpall në kërkim Ibrahim Lici, por vetëm në prill të vitit 2021, u hoq nga kërkimi për mungesë provash./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!