“I dogjëm”, zv/ministrja zbulon pse u ekspozua celula iraniane

schedule19:25 - 24 Tetor, 2019

schedule 19:25 - 24 Tetor, 2019

Zv/ministrja e Brendshme, Romina Kuko, sqaroi këtë të enjte arsyen pse policia bëri publik emrat e anëtarëve të celulës terroriste iraniane që planifikonte në Shqipëri. Sipas saj, ata u ekspozuan në mënyrë që “të digjej” veprimtaria e tyre kriminale në vendin tonë.

Kuko theksoi se ky fakt është i njohur nëpër botë pavarësisht se nuk ka arrestime.

“Ne kemi dëgjuar këto ditë lidhur me këtë ngjarje dhe sulmi është parandaluar në Mars të vitit të kaluar, por ka qenë një episod në një linjë të vazhdueshme të një plani. E dëgjuat më përpara se një nga këta anëtarë ka qenë në Shqipëri rishtazi pak kohë më parë. Kjo do të thotë se ky plan ka vazhduar në vijimësi. Ka ndodhur ekspozimi i këtij plani dhe një nga efektet deterrente që ka ekspozimi i këtyre planeve apo emrave të autorëve është fakt i njohur që edhe nëpër botë organizata terroriste të cilat planet e tyre ngelen në tentativë edhe kur nuk ka arrestime, ekspozohen në publik. Ky është një nga sqarimet që do doja t’ju jepja”, tha Kuko.

Kuko nuk bëri publike detaje të tjera të operacionit, por garantoi që në Shqipëri situata e luftës kundër terrorit është optimale.

“Unë nuk mund të flas për detaje sepse janë detaje operacionale. Edhe nga deklarata e drejtorit nuk ka asnjë fakt operacional. Në Shqipëri kemi një situatë optimale sa i përket luftës antiterror. Patjetër që ka hetime të vazhdueshme, kujdes të vazhdueshëm për sa i përket këtij fenomeni”, tha Kuko, duke shtuar se Shqipëria është rreshtuar në koalicionin antiterror.

Zv/ministrja deklaroi se në aktivitetin e antiterrorit në Shqipëri ka vlerësim risku. Sipas saj, në vendin tonë mund të ketë disa kërcënime, po agjencitë punojnë për parandalimin e tyre.

“Një pjesë shumë e madhe e punës së antiterrorizmit si në pjesën e fortë të saj dhe angazhimit ndaj komuniteti është puna parandaluese. Mund të ketë disa kërcënime, nuk jemi të fokusuar vetëm një kërcënim. Ndonjëherë jemi kërcënimet janë të ndërlidhura me njëra-tjetrën. Pjesa parandaluese është shumë e rëndësishme. Gjithmonë duke bashkëpunuar edhe me agjencitë e tjera ligjzbatuese dhe partnerët ndërkombëtar”, tha Kuko.

Gjithashtu ajo foli edhe për çështjen e Alvin Berishës. Sipas zv/ministres ka një ndërmarrje në të gjitha format dhe të gjitha mënyrat qofshin politike, diplomatike apo humanitare, që të bëhet e mundur dalja e Alvinit, por edhe grave dhe fëmijëve nga kampi i ISIS. Ajo theksoi se janë duke u zhvilluar tratativa në mënyrë të vazhdueshme, por kthimi nuk mund të ndodhë menjëherë.

Intervista e plotë:

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!