Kryeministri Edi Rama dhe Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Silvio Gonzato, zhvilluan sot, më 5 nëntor, një konferencë të përbashkët për shtyp në ambientet e Kryeministrisë, ku u fol për ecurinë e procesit të negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Gjatë fjalës së tij, Kryeministri Rama theksoi përgatitjen dhe angazhimin e qeverisë shqiptare për të përmbushur të gjitha detyrimet që rrjedhin nga ky proces, duke vlerësuar punën e grupit negociator dhe përdorimin e teknologjisë artificiale në përshtatjen e legjislacionit europian.
Rama tha se Shqipëria po avancon me përpikëri drejt objektivit për anëtarësim në vitin 2027 dhe theksoi se qeveria aktuale nuk do të largohet pa e bërë vendin pjesë të Bashkimit Europian.
“Në vitet e poshtërimit siç unë i quaj, ato vitet kur na jepte Kadiu, por na i refuzonte Aliu, kur komisioni na rekomandonte hapjen e negociatave, por na refuzohej. Ne jemi përgatitur për ditën kur negociatat të hapeshin dhe kemi punuar njësoj sikur të ishin hapur, prandaj dhe grupi jonë negociator ka shkëlqyer në këtë proces. Ka qenë mirë i stërvitur gjatë epokës së poshtërimit. I dimë shumë mirë detyrat, jemi i vetmi vend në rajon që përdori AI për këtë pr9oces dhe falë Diellës bëjmë transferimin me një shpejtësi shumë të lartë të të gjithë trupit ligjor të BE për ta adoptuar në Shqipëri.
Kryesojmë me përpikëri të gjitha objektivat që janë vendosur në kalendarin e përbashkët. Analizojmë me shumë seriozitet të gjitha problemet që janë adresuar. Falenderoj të gjithë negociatorët që janë krenari kombëtare për ne. Në të gjitha fushat raporti ka edhe arritjet dhe problemet. Na thotë se çfarë duhet të bëjmë më shumë dhe të ecim pas asnjë lloj ndalese për të arritur objektivin për vitin 2027. Sot të gjithë duhet të ndjehen shumë mirë, sepse sa më shumë pranë BE-së të jemi, aq më shumë përkujdesje do të kemi.
Kjo qeveri ka bërë detyrat edhe për mbështetësit edhe për kundërshtarët. Afrimi pranë BE-së jemi në garanci të gjithë. Kjo qeveri nuk ikën pa e bërë Shqipërinë anëtare të BE-së”, tha kryeministri Edi Rama./abcnews.al

