Pak pasi shpalli sanksionet e forta kundër Rusisë, presidenti i SHBA Joe Biden ka thirrur një mbledhje të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së për të diskutuar për Ukrainën. Lajmin e dha një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë.
Presidenti Joe Biden njoftoi të enjten një raund të ri sanksionesh ndaj Rusisë pas sulmit ndaj Ukrainës, duke akuzuar udhëheqësin rus Vladimir Putin se “e zgjodhi këtë luftë” dhe se vendi i tij do të mbartë pasojat e veprimeve të tij.
Sanksionet kanë në objektiv bankat ruse, oligarkët dhe sektorët e teknologjisë së lartë, tha Presidenti Biden. Shtetet e Bashkuara dhe vendet aleate do të bllokojnë asetet e katër bankave të mëdha ruse, do të vendosin mekanizma kontrolli ndaj eksporteve dhe do të vendosin sanksione ndaj oligarkëve.
Lexo edhe: Biden i prerë: Nuk kam ndërmend të flas me Putin, ushtria amerikane s’do të shkojë në Ukrainë
Masat ndëshkimore i përmbahen këmbënguljes së mëparshme të Shtëpisë së Bardhë se do të synojnë të godasin sistemin financiar të Rusisë dhe të rrethit të brendshëm të zotit Putin, ndërkohë që do të vendosin edhe mekanizma kontrolli ndaj eksporteve, të cilat do të godasin industrinë dhe ushtrinë ruse duke i mohuar qasjen tek mikroqarqet gjysmëpërcjellëse të prodhuara në Amerikë dhe produktet e tjera të teknologjisë së lartë.