I dënuar me 14 vjet në Itali, arrestohet 34 vjeçari

schedule09:24 - 8 Prill, 2020

schedule 09:24 - 8 Prill, 2020

Drejtoria e Policisë së Durrësit ka arrestuar një 34 vjecar për llogari të shtetit Italia.

Ai është Bekash Qerimi dhe është dënuar në shtetin italian nën akuzën e trafikut të lëndëve narkotike, vjedhje me armë dhe vjedhje.

Sipas Policisë arrestimi i 34 vjecarit është kryer me qëllim ekstradimi drejt Italisë.

Njoftimi i Policisë:

Vijon puna për kapjen e personave në kërkim ndërkombëtar.

Finalizohet operacioni policor i koduar “Koordinimi”.

Operacioni, nga DVP Durrës, në koordinim me Interpol Tirana.

Kapet dhe arrestohet një 34-vjeçar, me qëllim ekstradimi në Itali, i dënuar për disa vepra penale.

Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, krahas angazhimit maksimal për monitorimin e zbatimit të masave për parandalimin e përhapjes së COVID-19, vijojnë punën për goditjen e paligjshmërisë dhe për kapjen e personave në kërkim.

Bazuar në informacionet e marra në rrugë operative, specialistët për Hetimin e Trafiqeve dhe Narkotikëve në DVP Durrës, në koordinim me Interpol Tirana, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Koordinimi”, në kuadër të të cilit u kap dhe u arrestua, me qëllim ekstradimi drejt Italisë, shtetasi B. Q., 34 vjeç, banues në Durrës.

Gjykata e Apelit në Venecia, Itali, e ka dënuar me 14 vjet burg, për veprat penale “Trafikim i lëndëve narkotike”, “Vjedhja me armë” dhe “Vjedhja”, parashikuar nga Kodi Penal italian.

Materialet e arrestimit të përkohshëm i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!