Policia ka arritur të zbardhë detaje të reja lidhur me atentatin me tritol që la të vdekur 27-vjeçarin Aleksandër Sadikaj, 2 ditë më parë, në afërsi të rrethrrotullimit të TEG-ut.
Mësohet se nëna e 27-vjeçarit shtetasja S.K. është ndaluar më 25 dhjetor të 2021 dhe është hetuar për veprën penale “shfrytëzim prostitucioni”, por më pas është lënë e lirë.
Bashkë me të u ndalua edhe një efektive policie dhe dhëndri.
Efektivja ndihmonte vjehrrën e kolegut të saj nën komisar që ta ushtronte aktivitetin e prostitucionit në lokalin e saj pa u shqetësuar.
Lexo edhe: Skandal në Tiranë/ Policja ndihmon vjehrrën e kolegut, tutore prostitutash: Po vijnë në lokal
Njoftimi i SHCBA me 25 dhjetor 2021:
SHÇBA Tiranë ekzekutoi vendimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, e cila ka vendosur masat e sigurisë “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” për punonjësit e policisë:
– N/Komisar F.M., 29 vjeç, me detyrë Specialist në Seksionin e Hetimit të Aksidenteve Rrugore në Komisariatin e Policisë të Qarkullimit Rrugor Tiranë.
– Inspektore O.K., 27 vjeçe, me detyrë Operatore e Kamerave në Sektorin e Sallës së Komandimit në D.V.P. Tiranë.
Ekzekutimi i vendimit të Gjykatës u krye në funksion të procedimit penal Nr. 5023, të kryer nga SHÇBA Tiranë në bashkëpunim me Prokurorinë Tiranë, me hetime proaktive disa mujore, për akuzat “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Ushtrim i prostitucionit”.
Në zbatim të vendimit datë 23.12.2021 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, në kuadër të këtij hetimi u procedua penalisht edhe shtetasja S.K, 53 vjeçe, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e saj në qytetin e Memaliajt, u gjetën:
– 2 armë gjahu gjysëmautomatike;
– sasi fishekësh, që mbaheshin pa leje.
Gjithashtu, shtetasve të mësipërm iu sekuestruan edhe 4 telefona celularë në interes të thellimit të hetimeve për veprat penale të sipërcituara.
Nga hetimet e SHÇBA Tiranë ka rezultuar se oficeri i policisë F.M., duke shpërdoruar detyrën, ndryshonte përgjegjësitë e palëve në rast hetimi aksidentesh.
Gjithashtu, dyshohet se në lokalin e vjehrrës së tij, shtetases S.K. ushtrohej prostitucion, por oficerja e Sallës Operative informonte 53-vjeçaren për aksionet që organizonte Policia.
Materialet procedurale u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Si u zbulua skandali?
SHÇBA kishte vënë nën monitorim nën komisarin 29 vjeçar dhe rezultoi se ky i fundit duke shpërdoruar detyrën, ndryshonte përgjegjësitë e palëve në rast hetimi aksidentesh. Në vijim të hetimeve doli në pah se ai kishte bërë një shkelje akoma më të rëndë.
Ndihmonte vjehrrën që të ushtronte aktivitetin e prostitucionit në lokalin e saj. Në këtë skemë nga hetimet e SHÇBA rezultoi se ishte përfshirë edhe kolegia e tij 27 vjeçe, me detyrë Operatore e Kamerave në Sektorin e Sallës së Komandim.
Kjo e fundit njoftonte vjehrrën e kolegut për aksionet që organizonte policia, duke u bërë pjesë e shkeljes. Në kuadër të këtij hetimi u procedua penalisht edhe vjehrra 53 vjeçare e policit, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e saj në qytetin e Memaliajt, u gjetën 2 armë gjahu gjysëmautomatike dhe fishekë pa leje. Në interes të thellimit të hetimeve të përfshirëve në këtë shkelje u janë sekuestruar 4 telefona celularë./abcnews.al/