Është lënë në burg Etjon Joka, kandidati i LSI për deputet, i cili akuzohet për korrupsion në zgjedhje.
Joka u arrestua dje në Tiranë pasi ishte i shpallur në kërkim për veprën penale “Korrupsioni pasiv në zgjedhje” pasi u filmua duke shpërndarë para.
Ndaj 32-vjeçarit ishte caktuar masa ‘arrest me burg’ në mungesë. Dy ditë para zgjedhjeve është publikuar një video ku Joka shfaqej duke premtuar para për blerjen e votave në Tiranë. Me audio, në një video të publikuar ish-kandidati i LSI u shfaq teksa i jep 100 dollarë një qytetari që ishte angazhuar të mbledhë vota për LSI-në. Po ashtu në të njëjtën video, një person i quajtur Edison Babo vijonte pazaret ku premtonte punësim për qytetarin pas zgjedhjeve.
Këto akuza vetë Joka i ka mohuar duke thënë se është e sajuar. Ai ishte i renditur i 22 në listat e LSI në Tiranë ndërsa mori vetëm 320 vota në zgjedhjet e 25 Prilli./abcnews.al/