Hyrja e Sarandës, Gjiknuri: Investimi përfundon brenda një muaji

schedule11:26 - 15 Maj, 2018

schedule 11:26 - 15 Maj, 2018

Brenda muajit do të përfundojë rruga hyrëse në qytetin e Sarandës. Lajmin e ka dhenë ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri gjatë inspektimit të punimeve.

Sezoni veror do ta gjejë të përfunduar rrugën në hyrje të qytetit të Sarandës.

Projekti parashikon rikonstruksionin e aksit rrugor Ura e Gajdarit deri në hyrje të qytetit të Sarandës dhe ka vlerën financiare 280 milionë lekë të reja. Aktualisht ka përfunduar edhe asfaltimi dhe është hapur qarkullimi i lirë për mjetet.

I shoqëruar nga Kryebashkiakja Floriana Koka dhe deputeti i zonës Alket Hyseni, Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, inspektoi fazën përfundimtare të punimeve që Autoriteti Rrugor Shqiptar po kryen në hyrjen e qytetit të Sarandës.

“Jemi këtu në rrugën hyrëse të Sarandës, një  vepër kaq e rëndësishme që zgjidhi një problem shumë vjeçar për qytetin. Një vepër e financuar nga qeveria shqiptare e cila tashmë është e hapur për lëvizjen e trafikut me të gjitha parametrat. Besoj brenda një muaji siç edhe nga komunikimet e fundit që kam bashkë me Autoritetin Rrugor dhe me kompaninë zbatuese, kjo rrugë do të jetë plotësisht e përfunduar me sinjalistikën përkatëse dhe me të gjithë veprat që i përkasin”, u shpreh ministri Gjiknuri.

Punimet për këtë investim në infrastrukturën e qytetit bregdetar nisën në muajin Gusht të vitit të kaluar. Brenda një muaji parashikohet që të përfundojnë edhe trotuaret dhe sinjalistika përkatëse e këtij segmenti.  /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!