Sondazh

Kupa e Botës, shkon:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

“Hundët e zëna gjithë vitin?” Alergji, sinusit apo devijim i kërcit të hundës?

schedule09:42 - 15 Qershor, 2026

schedule 09:42 - 15 Qershor, 2026

Shumë njerëz jetojnë për muaj apo edhe vite me hundë të bllokuara, duke menduar se bëhet fjalë thjesht për një ftohje të zgjatur. Por specialistët paralajmërojnë se pas këtij shqetësimi të zakonshëm mund të fshihen probleme të ndryshme shëndetësore që kërkojnë diagnostikim dhe trajtim të specializuar.
E ftuar në ABC e Mëngjesit, mjekja alergologe Dr. Alketa Ibranji shpjegon se hundët e zëna nuk duhen konsideruar normale kur bllokimi zgjat për javë apo muaj të tërë, kur frymëmarrja bëhet e vështirë, sidomos gjatë natës, apo kur problemi ndikon në cilësinë e gjumit dhe jetës së përditshme.

Sipas saj, ndër shenjat që nuk duhen neglizhuar janë gërhitja e vazhdueshme, zgjimet e shpeshta gjatë natës, lodhja gjatë ditës, vështirësia në përqendrim dhe ndjesia e vazhdueshme e hundëve të bllokuara.
Një nga shkaqet më të zakonshme të këtij problemi janë alergjitë e frymëmarrjes. Ato shfaqen kur organizmi reagon ndaj substancave të padëmshme që gjenden në mjedis, si poleni i bimëve, pluhuri i shtëpisë, qimet e kafshëve apo myku.
Shenjat tipike të alergjive përfshijnë teshtima të shpeshta, kruarje të hundës dhe syve, sekrecione të tejdukshme, lotim dhe skuqje të syve. Në shumë raste simptomat përkeqësohen në stinë të caktuara të vitit ose gjatë qëndrimit në ambiente të mbyllura ku grumbullohen alergjenët.

Megjithatë, jo çdo hundë e zënë është pasojë e alergjive. Në disa raste problemi mund të lidhet me sinusitin kronik, një inflamacion i vazhdueshëm i sinuseve që shoqërohet me ndjesi presioni në fytyrë, dhimbje koke, sekrecione të trasha dhe vështirësi të zgjatura në frymëmarrje.
Një tjetër shkak i shpeshtë është devijimi i septumit nazal, i njohur si devijimi i kërcit të hundës. Kjo gjendje mund të kufizojë kalimin normal të ajrit dhe të shkaktojë bllokim të vazhdueshëm të njërës ose të dy vrimave të hundës, shpesh pa u kuptuar nga vetë pacienti.



Dr. Ibranji thekson se identifikimi i shkakut është hapi më i rëndësishëm për trajtimin e duhur. Vetëm pas një vlerësimi specialistik mund të përcaktohet nëse problemi kërkon trajtim për alergjinë, mjekim për sinusitin apo ndërhyrje për korrigjimin e septumit nazal.
Mesazhi i specialistëve është i qartë: nëse hundët qëndrojnë të bllokuara për një kohë të gjatë dhe ndikojnë në frymëmarrje, gjumë apo cilësinë e jetës, nuk duhet të mjaftohemi me supozimin se kemi një ftohje të zakonshme. Një kontroll te mjeku mund të zbulojë shkakun e vërtetë dhe të përmirësojë ndjeshëm mirëqenien e përditshme.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!