Humbja në Superkupë dhemb, Guardiola: Jemi të zhgënjyer, nuk pati aq shumë ndodhi për të shtuar 8 minuta

schedule23:50 - 6 Gusht, 2023

schedule 23:50 - 6 Gusht, 2023

Nuk mund të kishte nisje më të mirë të sezonit për “topçinjtë” e Arsenal, të cilët pasditen e kësaj të diele mundën rivalët e Manchester City, në finalen e madhe të Superkupës së Anglisë, “Community Shield”, pas goditjes së penalltive.

Pas ndeshjes, trajneri Pep Guardiola tejet i pakënaqur, foli për mediat ku fillimisht iu referua shtesave të gjata që u dhanë në fund të secilës pjesë loje, duke reflektuar atë që kishte bërë FIFA gjatë Botërorit në Katar, për të kompensuar kohën e humbur gjatë ndeshjes.

“Urime Arsenal, i shkuam shumë afër. Në 15-20 minuta e fundit të pjesës së parë, bënë më mirë ata. Në pjesën e dytë, shumë, shumë më mirë ne. Me të vërtetë një pjesë e dytë e madhe.

Nuk me duket se kishin ndodhur gjëra për të shtuar 8 minuta. Por kush i bën rregullat, nuk përballet me trajnerët, me lojtarët, tani ndeshjet do të jenë me 100 minuta. Imagjinoni nëse shtohet kohë shtesë për golat e kështu me radhë… të nesërmen do të jemi ende këtu duke luajtur! Megjithatë, kemi përballuar një skuadër të jashtëzakonshme, jemi të zhgënjyer, por futbolli është kështu, nuk mund të fitosh gjithmonë”, u shpreh spanjolli. /i.m /abcnews.al 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!