Sot në ‘Abc e Pasdites’ nga Ermal Peçi ishin prezente në studio dy ushtarake, heroina të ditëve të sotme. Fatma Ozturk dhe Granita Hasanaj kanë qenë pjesë e trupave të dërguara në fshatin Dukat verën e këtij viti, në misionin e shuarjes së zjarreve vdekjeprurëse.
Të pyetura nga moderatori mbi aktivitetin kërcënues dhe arsyet e përfshirjes në Forcat e armatosura, dy ushtaret shprehën se pasioni për punën dhe dëshira për t’i shërbyer atdheut dhe qytetarëve është e fortë dhe është ajo që i motivon për të bërë përpara.
“Është një pasion, dëshirë shumë e madhe tu shërbesh njerëzve në nevojë”, tha tetare Granita Hasanaj për ‘Abc e Pasdites’.
“Ky është pasioni im, më ka pëlqyer gjithmonë të jem në uniform sepse uniforma do të thotë respekt” , shprehu Fatma, e cila ka vetëm 9 muaj që ka marrë gradën e ushtares së parë.
Jeta e ushtareve Fatma dhe Granita është çdo ditë në rrezik. Vetë Granita tregon historinë e dhimbshme të familjes së saj. E emocionuar, ajo rrëfen mbi humbjen e vajzës së xhaxhit në moshë të re, teksa kryente një mision në Letoni. E teksa kujton të ndjerën, tetarja shpreh se nuk i trembet vdekjes, pavarësisht rreziqeve me të cilat përballet.
“Asnjëherë nuk mendohet rreziku. Thjesht të mbrojmë atdheun tonë, njerëzit, dhe banesat e tyre. Dhimbja është shumë e madhe por unë ndihem krenare.”, tha Hasanaj.
Në një profesion të mbuluar masivisht nga burrat, vajzat shprehin se nuk janë ndjerë kurrë të paragjykuara. Përkundrazi, ato thanë se mbështetja ka qenë e madhe qoftë nga familja, miqtë, kolegët apo edhe qytetarët e thjeshtë./abcnews.al