Profesori i mjekësisë, Elmaz Eltari ka humbur jetën këtë të premte si pasojë e koronavirusit. 85 vjeçari për shkak të përkeqësimit të gjendjes së tij nga Covid ndodhej i shtruar prej disa ditësh në Spitalin Infektiv në QSUT, por nuk ja ka dalë ta mposhtë virusin e rëndë.
Eltari ka qenë profesor i mjekësisë në Shqipëri dhe Kosovë, ndërsa me humbjen e tij numri i viktimave nga Koronavirusi në vend shkon në 466.
Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, ka reaguar pas lajmit për humbjen e profesorit, ku shkruan se fatkeqësisht ai nuk ka mundur ta fitojë betejën me virusin e rrezikshëm #COVID19.
“E trishtuar për ndarjen nga jeta të prof. Elmaz Eltarit, ish drejtues i klinikës infektive, një nga ata mjekë të rrallë, që njihej ndër kolegë dhe pacientë për humanizmin e tij.
Megjithë përpjekjet e kolegëve, profesori 85 vjeçar nuk mundi ta fitojë betejën me virusin e rrezikshëm #COVID19
Ngushëllime të sinqerta bashkëshortes, prof.Afërditës, familjarëve dhe miqve të prof. Elmazit!”, shkruan Manastirliu. e.su./abcnews.al