Huatë me probleme, të qëndrueshme/ BSH: Në maj, norma e kredive te këqija 4.8%

schedule14:04 - 10 Korrik, 2024

schedule 14:04 - 10 Korrik, 2024

SHQIPËRI- Niveli i kredive të këqija mbetet i qëndrueshëm gjatë këtij viti duke mos tejkaluar nivelin e 5%. Ky është një tregues se bizneset dhe qytetarët kanë qenë të rregullt në pagesat e kësteve të radhës.

Rritja e normave të interesit  nga Banka Qendrore por edhe ajo Europiane për kreditë në euro duket se nuk ka ndikuar në përkeqësimin e aftësisë paguese në vend.Nëse krahasojmë nivelin e kredive të këqia me të njëjtën  periudhë të  disa viteve më parë shifrat konfirmojnë përmirësim të  dhënave.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, cilësia e portofolit të kredive është përmirësuar gjatë  pjesës së parë të vitit 2024 duke rrëzuar pritshmëritë fillestare, sipas të cilave inflacioni dhe rritja në nivele rekord e normës bazë të interesit do të rriste nivelin e kredive me probleme.

Aktualisht Banka Qendrore Europiane dhe dhe Banka e Shqipërisë kanë nisur lehtësimin e politikës monetare duke dhënë stimujt e parë për një përmirësim të mëtejshëm të shlyerjes së kësteve të kredive.

Banka Qendrore uli me 3.25% normën bazë të interesit dhe treguesit janë që një vendimmarrje e tillë mund të vijojë duke marë shkas nga ulja e mëtejshme e inflacionit.

Por në këtë drejtim ka ndikuar edhe kujdesi që është treguar nga sistemi bankar për aprovimin e kredive të reja.

Bizneset dhe qytetarët  në Shqipëri janë orientuar në marrjen e huave në monedhën kombëtare.

Portofoli i kredive sipas monedhës, për vitin 2023, në ndryshim nga viti 2022, evidenton se kredia në lekë ka peshën më të madhe në totalin e kredisë me 53.7% duke pësuar  një rritje me 4 %.

Niveli i kredive me probleme: 

Maj 2024    4.8 %

Maj 2023    5.22%

Maj 2022    5.44%/ abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!