Huatë me probleme, niveli me i ulët në 10 vjet/ Zbritën në 4.7% në dhjetor, normat nuk rrezikuan kreditë

schedule14:08 - 9 Shkurt, 2024

schedule 14:08 - 9 Shkurt, 2024

SHQIPËRI– Kreditë me probleme kanë prekur nivelin më të ulët në më shumë se 10 vite. Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në muajin dhjetor 2023 niveli  i kredive të këqija ka arritur në 4.7% nga 5% që kishte qenë në fund të vitit 2022.

Ky rezulton të jetë niveli më i ulët i regjistruar që prej vitit 2014 kur niveli i huave me probleme ishte në nivelin e 24 %.

Ky tregues është shumë i rëndësishëm në një kohë që normat e interesit janë rritur ndjeshëm  si për kreditë në lekë ashtu edhe për ato në valuta të huaja.

Banka e Shqipërisë e ka rritur normën bazë të interesit në 3.25% si  një masë për të stabilizuar çmimet e konsumit.

Por  statistikat e bankës së Shqipërisë tregojnë se  këto masa të cilat kanë marrë nuk janë reflektuar në pagesën e kësteve të kredive në kohë edhe pse këstet janë shtrenjtuar.

Nga analizat rezulton se një ndikim të rëndësishëm në rënien e raportit të huave me probleme  ka dhënë rritja e graduale e normave të interesit nga Banka e Shqipërisë gjatë vitit të kaluar, por edhe forcimi i kekut në kursin e këmbimit. Banka e Shqipërisë e rriti normën bazë të interesit vetëm dy herë në 2023 dhe niveli prej 3.25%, por ai mbetet ndër më të ulëtit në Europë.

Megjithatë Banka Qendrore ka paralajmëruar se  do të vijoj politika e rritjes së normës së interesit edhe pse në nivele më minimale si një masë e detyrueshme për të rikthyer në objektiv nivelin e inflacionit.

Ulja e nivelit të huave me probleme është një element me rëndësi edhe për efektet që ajo ka në kreditimin e ekonomisë.

Në total kredia e re  gjatë muajit dhjetor 2023 arriti në 45 miliardë lekë ku ndikuan kreditë për bizneset  si dhe për blerje banesash.

Niveli i huave me probleme:

Dhjetor 2023      4.7%

Dhjetor 2022      5 %

Dhjetor 2021      5.7%

Dhjetor 2020      8.1%/ abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!