Sondazh

A do të zgjasë gjatë konflikti në Iran?

  • Po 67%
  • Jo 33%
Loading ... Loading ...
 

Hoxha pret Konjufcën: Koordinim të ngushtë Shqipëri-Kosovë në çdo çështje të interesit kombëtar

schedule16:59 - 14 Prill, 2026

schedule 16:59 - 14 Prill, 2026

Ministri i Punëve të Jashtme, Ferit Hoxha priti në takim në Tiranë, homologun nga Kosova, Glauk Konjufca në kuadër të Samitit të Diasporës.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Hoxha u shpreh se Samiti i Diasporës është një dëshmi e qartë e vullnetit të përbashkët për ta shndërruar diasporën shqiptare në një fuqi të organizuar dhe vendimtare për të ardhmen tonë kombëtare.

Sipas Hoxhës, duhet të ketë koordinim të ngushtë Shqipëri-Kosovë në çdo çështje të interesit kombëtar.



“Ishte kënaqësi e veçantë të mirëprisja sot në Tiranë Zëvendëskryeministrin e Parë dhe Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Glauk Konjufca, në kuadër të Samitit të IV-të të Diasporës. Ky samit është një dëshmi e qartë e vullnetit tonë të përbashkët për ta shndërruar diasporën shqiptare në një fuqi të organizuar dhe vendimtare për të ardhmen tonë kombëtare. Diaspora jonë mbetet një aset i pazëvendësueshëm, një urë e gjallë që lidh kombin tonë me botën dhe një motor i fuqishëm zhvillimi, që kontribuon drejtpërdrejt në forcimin e ekonomisë, shoqërisë dhe identitetit tonë.

Në vijim të një dialogu intensiv dhe të frytshëm, takimi i sotëm riafirmoi vendosmërinë tonë për të çuar përpara bashkëpunimin strategjik Shqipëri – Kosovë . Ne jemi të vendosur ta thellojmë këtë bashkëpunim në çdo fushë prioritare, nga ekonomia dhe infrastruktura te energjia, arsimi, kultura, mbrojtja dhe siguria. Theks të veçantë i dhamë nevojës për riaktivizimin e mekanizmave të përbashkët institucionalë, si dhe përshpejtimin e projekteve madhore kombëtare.

Në planin rajonal dhe ndërkombëtar, Shqipëria mbetet e palëkundur në mbështetjen e saj për Kosovën dhe perspektivën e saj euroatlantike. Theksuam qartë se momenti pozitiv në marrëdhëniet e Kosovës me Bashkimin Evropian duhet të shfrytëzohet pa vonesë. Dhënia e statusit të vendit kandidat për Kosovën është një domosdoshmëri politike dhe strategjike e mirëvendosur në kohë dhe një investim me vlerë për të ardhmen evropiane të rajonit tonë. Shqipëria do të vijojë të jetë një zë i fuqishëm në mbështetje të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, në çdo aspekt. Ne nuk kemi luksin e pritjes. Koha kërkon veprim, vendosmëri, bashkërendim dhe unitet. Prandaj, riafirmuam angazhimin tonë për koordinim të ngushtë dhe veprim të përbashkët në çdo çështje të interesit kombëtar, me synimin e qartë për të investuar së bashku në stabilitet afatgjatë, zhvillim të qëndrueshëm për qytetarët tanë, si dhe në paqen, sigurinë dhe bashkëpunimin rajonal”, shkruan Hoxha.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!